Rikthehet “Skënderbeu”

27/06/2011 20:15

I pari dokumentar për Skënderbeun ka nisur të marrë jetë. Dubël pas dubli po formësohet figura e heroit tonë kombëtar në filmin që mban si titull vetëm emrin e tij “Skënderbeu”.

Regjisori Vladimir Prifti, njëherazi producent dhe ekipi realizues i filmit-dokumentar prej ditësh gjenden në sheshin e xhirimit të këtij projekti madhor.

Kineasti Prifti ndalet për të rrëfyer detajet se si do të vijë ky film i cili kryefjalë do të ketë faktet historike.

“Është një skenar i ndërtuar me disa seri. Ka qenë pak e vështirë sepse kemi një figurë të rëndësishme. Është shkruar nën logjikën e disa historianëve që janë marrë gjatë me Skëndërbeun. Leximi do ketë dy historianë që lidhin dy ambjente dhe dy aktorë. Gjithçka flitet me dokumente”, theksoi Prifti.

Kryeroli në filmin-dokumentar “Skënderbeu” interpretohet nga Sokol Angjeli, ai është filli lidhës i tërë historisë. Një përgjegjësi e madhe për një rol të madh, kështu e cilëson protagonizmin e tij aktori Angjeli.

“Vështirësia artistike profesionale për ta bërë mirë. Përmban një detyrë për të ndërlidhur pjesët, për ta bërë të prekshme dhe të afërt. Për ta larguar nga legjenda”, u shpreh Alngjeli.

Një sfidë si artiste, edhe një detyrim për figurën e Skënderbeut është për aktoren e zëshme Roza Anagnosti të qenit pjesë e këtij projekti që po realizohet me jo pak sakrifica.

“Mu duk një gjë e mrekullueshme dhe kurajoze nga Vladimir Prifti që ka nisur një projekt pas filmit artistik. Nuk ka dokumentare për këtë figurë. Kisha një hezitim, por një gjë e madhe më shtyu të bëhesha pjesë e këtij projekti”, është shprehur Roza.

Janë katër historianët të cilët kanë këshilluar kineastin Prifti për skenarin e këtij dokumentari, Kristo Frashëri, Pëllumb Xhufi, Luan Malltezi dhe Pranvera Bogdani.

Me kamera të Erjon Muharremit dhe operator zëri Eno Kotorri, episodi i parë i dokumentarit “Skënderbeu” që mban vulën e Vladimir Priftit si regjisor e producent është një bashkëprodhim i “Eurofilm” drejtuar nga kineasti Prifti dhe “Top Channel” e do të ketë premierën në prag të 100 vjetorit të Pavarësimit të Shqipërisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA