
Propozimi i shefit të misionit të FMN-së, Gerwin Bell, për të rishikuar
nivelin e taksave, si masë për të ulur borxhin ka shkaktuar reagime të
forta nga ana e biznesit.
Edhe pse përgjigjja e ministrit të Financave, ishte e menjëhershme për ‘jo’, duke thënë se mund të kryente vetëm disa rregullime, duket se biznesi nuk është mjaftuar me kaq.
Konfindustria, sipas Shqip, shpreh kundërshtimin e saj për propozimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar të shprehur në takimin 3-palësh të ditëve të fundit me përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë për rritjen e taksave si mënyrë për të plotësuar rënien e të ardhurave fiskale në buxhetin e shtetit në 6-mujorin e parë të vitit 2011, në kushtet e rënies së rendimentit fiskal të ekonomisë shqiptare.
Duke analizuar pasojat nga rritja e taksës, Gjergj Buxhuku vë në dukje faktin se ndikimet do të jenë tejet negative.
“Së pari, skenari i rritjes së taksave në kushtet e sotme do të thotë, që përveç pasojave të rënda sociale do të shkaktojë uljen e mëtejshme të kërkesës së brendshme dhe fuqisë blerëse edhe kështu mjaft e ulët, duke rrezikuar seriozisht, që ekonomia kombëtare të hyjë në një rreth të mbyllur, që vë në dyshim mundësitë dhe shpresat për rritje në të ardhmen”, thotë administratori i përgjithshëm i Konfindustrisë.
Sipas tij, të dhënat e 3-mujorit të parë të vitit 2011 flasin qartë për uljen e dukshme të treguesve të konsumit dhe mbështesin arsyetimin e mësipërm.
Top Channel