“Stacionet” e kryetarit të bashkisë

26/06/2011 16:25

Partia Socialiste do të kërkojë pavlefshmëri në disa qendra votimi. Nuk bëhet e ditur me cfarë argumentash, por nisur nga diskutimi i të shtunës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, mendohet se në qendër të vëmendjes mund të jenë mosrakordimet e shifrave. Cështja është a do ta pranojë shumica një kërkesë të tillë ankimore?

“Këtu ka një sqarim në radhë të parë lidhur me pretendimin e Partisë Socialiste. Sqarimi është ky: 870 vota të cilat nuk koordinojnë në tabelë, por të gjitha këto janë që nga fillimi procesit deri në fund dhe nuk kanë lidhje me veprimtarinë e KQZ për vlerësimin e votës në kutinë e gabuar”, thotë Ristani.

Ky argument i kryetarit Ristani, me fjalë të tjera do të thotë dekadencë. Dekadenca, si term juridik u përdor edhe nga anëtarja Vera Shtjefni, për të thënë se kërkesës ankimore për pavlefshmëri i ka kaluar koha. Këtë e mbështeti edhe përfaqësuesi i LSI-së Ylli Manjani.

“Hyjmë në këtë rast tek procedura-ankim që për mua juridikisht kanë mbaruar, është sosur, ka marrë fund”, tha Manjani.

Megjithatë socialistët do ta paraqesin kërkesën, për të cilën kanë afat deri ditën e martë në orën 16.00. Të mërkurën relatori i cështjes do të propozojë pranimin ose rrëzimin e kërkesës.

Nëse KQZ e pranon, atëhere futemi në logjikën e afateve ankimore. E shumta deri të premten, KQZ duhet të nisë shqyrtim administrativ. Afatet për kryerjen e veprimeve hetimore administrative nuk janë fikse, por caktohen nga KQZ në konsultim me palët në funksion të provave.

Por mazhoranca ka një vullnet të qartë për ta mbyllur sa më parë këtë cështje, ndaj të shtunën do të mblidhet në seancë dhe do të vendosë po atë ditë për kërkesën ankimore të Partisë Socialiste.

Nëse kërkesa rrëzohet, Partia Socialiste ka afat 5 ditë, pra deri të enjten 7 qershor për ta depozituar kërkesën e saj ankimore në Kolegji Zgjedhor. Brenda 10 ditëve, pra deri të hënën 18 korrik, Kolegji duhet të shprehet. Në rast se kërkesa rrëzohet, atëhere Lulzim Bashës mund t’i duhet edhe dy ditë deri në konstituimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, që do ta shpallë atë kryetar të ri të Bashkisë.

Në rast se kërkesa pranohet, atëhere do të kemi zgjedhje të reja, jo më vonë se 4 javë nga data e vendimit, pra diku nga mesi i gushtit. Në një rast të tillë, emri i kryetarit të ri të bashkisë nuk do të njihej përpara shtatorit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA