Sharrë, në mbretërinë e mbeturinave

26/06/2011 16:00

Cdo natë në Sharrë ndodh e njëjta gjë. Njerëz që luftojnë për të mbijetuar, të mitur, gra të moshuar, disa prej tyre kanë tentuar të gjejnë një punë, por pa rezultat dhe janë kthyer këtu, rrëmojnë e seleksonojnë plehra.

Njerëzit me kokore me llampa, jemi mësuar t’i shikojmë në miniera. Por edhe Sharra një lloj minierë është dhe njerëzit punojnë thuajse në të njëjtat kushte.  Kjo është Sharra, vendgrumbullimi i mbeturinave të Tiranës dhe vendi i punës dhe jetesës për qindra njerëz.

Ajo që në fakt duhej të bëhej që në pikat e grumbullimit, pra ndarja dhe diferencimi i mbetjeve sipas kategorisë, bëhet këtu. Qindra njerëz punojnë gjatë gjithë natës duke iu suluar pirgjeve që shkarkojnë makinat, për të kërkuar mbeturina plastike, qelqi dhe metale. Edhe pse mes erës së keqe dhe një gazi helmues që prodhojnë mbeturinat, këta njerëz nuk tërhiqen, por luftojnë për mbijetesë.

Si në cdo sektor edhe këtu ka konkurencë dhe njerëzit janë ndarë në grupe për të kontrolluar zonat e tyre të influencës.

Kur kamera jonë mbërrin ketu, romët vijojnë gërmimin. Ky komunitet ka vite që e bën këtë punë dhe prania e kameras nuk i shqetëson. Por këtij biznesi i kanë hyrë se fundmi edhe banorë të tjerë të cilëve ky zanat, megjithatë u duket fyes dhe nuk preferojnë të ekspozohen. Gjejnë mënyra nga më të ndryshmet për t’u mbuluar.

Ky është i vetmi sektor në ekonominë shqiptare ku punohet me tre turne dhe ku nuk ka asnjë drejtues që t’u kërkojë llogari punëtorëve për oraret. Kjo është lufta më e egër për mbijetesë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA