Prokuroria do të vijojë hetimet për mjekun Xhevair Hoxhallari, ndaj të
cilit Gjykata e Tiranës pushoi gjykimin disa ditë më parë.
Mjeku akuzohet për vdekjen e 17-vjeçares Matilda Petriti dhe po gjykohej për “mjekim të pakujdesshëm”, megjithatë në momentin që do të jepej konkluzioni përfundimtar, akuza tërhoqi dosjen, duke sjellë rrjedhimisht pushimin e gjykimit.
Megjithatë, burime nga akuza e kryeqytetit thanë per “Shqip” se do të verifikojnë disa prova të reja për mjekun Hoxhallari dhe pasi të kryejnë një sërë hetimesh do të vendosin nëse do ta ridërgojnë edhe njëherë këtë dosje për gjykim. Por, “dëmet” për prokurorinë kanë ardhur, teksa gjykata i ka caktuar edhe faturën financiare të zhvillimit të gjyqit.
Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë se dosja do të diskutohet me titullarët e akuzës dhe do të vendoset për hapat që do të merren, megjithatë saktësohet se do të kryhen edhe njëherë të gjitha veprimet hetimore. Akuza tha se pritet që të merren sërish në pyetje dëshmitarët okularë, si dhe familjarët e adoleshentes, të cilët kanë hedhur shpeshherë akuza ndaj mjekut dhe shërbimeve spitalore për vdekjen e vajzës pogradecare.
Ngjarja ka ndodhur në verën e vitit 2008, kur familjarët akuzuan mjekun si shkaktar të vdekjes së vajzës. Pas denoncimeve të të afërmve të viktimës, prokuroria nisi hetimet ndaj mjekut Hoxhallari.
Autopsia vërtetoi se 17-vjeçarja korçare humbi jetën si pasojë e hemorragjisë së madhe të krijuar pas ndërhyrjeve kirurgjikale. Pas një sërë veprimesh hetimore, organi i akuzës kryeqytetase mbylli hetimet dhe dërgoi në gjykatë dosjen penale ndaj Xhevahir Hoxhallarit për veprën penale të “mjekimit të pakujdesshëm”, megjithatë me një vendim të diskutuar tërhoqi aktet e dosjes disa ditë më parë nga gjykata, duke rihapur edhe njëherë hetimet.
Top Channel