Samiti europian deklaroi zyrtarisht mbylljen e negociatave për anëtarësim me Kroacinë, 20 vjet pas shpalljes së pavarësisë.

“Zonja kryeministre, jam i lumtur t’ju jap lajmin e mirë, në emër të 27 vendeve anëtare, të 27 kryetarëve të shteteve apo qeverive, Kroacia do jetë anëtari i 28. Në vitet që vijnë, ky samit europian do të mbahet mend si takimi që i shtroi rrugën anëtarësimit të Kroacisë në Bashkimin Europian”, është shprehur Herman Van Rompuy, president i Këshillit të BE-së.

“Për anëtarësimin e Kroacisë, vendimi politik është marrë tashmë. Çfarë është mirë për Kroacinë, është mirë dhe për BE-në”, theksoi Victor Orban, kryeministër i Hungarisë, presidenti i radhës së BE-së.

“Komisioni mendon se kjo gjë mundëson anëtarësimin e plotë në 1 korrik 2013. Pres me padurim Kroacinë si anëtaren e 28 dhe pres me padurim t’i uroj mirëseardhjen komisionerit kroat gjatë mandatit të këtij kolegji”, shtoi Jose Manuel Barroso, president i Komisionit Europian.

“Është një moment historik për Republikën e Kroacisë, për qytetarët e Kroacisë dhe e gjithë kjo po ndodh në prag të 20 vjetorit të pavarësisë së Kroacisë”, deklaroi Jadranka Kosor, kryeministre e Kroacisë.

Tashmë, 35 kapitujt e negociuar do të shkruhen në 23 gjuhët zyrtare të Unionit dhe në atë kroate, pasi përbëjnë Traktatin e Ri të BE-së së 28 vendeve anëtare.

“Ky anëtarësim i ardhshëm me Kroacinë sjell një ‘momentum’ të ri ndaj vokacionit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Herman Van Rompuy.

“Është mëse e sigurt se pa kryerjen dhe konsolidimin e atyre reformave, ne nuk mund të japim shpresa për anëtarësime”, deklaroi Barroso.

“Është shumë e rëndësishme që, pas një periudhe shumë të gjatë hezitimi, ne rinjohim ‘momentin’ për zgjerimin”, deklaroi Orban.

Por në Ballkan, presidenca hungareze nuk pati shumë sukses. Vendet e tjera të rajonit nuk bën progres, po aq të dukshëm sa Kroacia, në përshpejtimin e rrugës drejt BE-së. Pavarësisht premtimeve me marrjen e mandatit, hungarezët nuk ishin në gjendje të jepnin as një date për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë, gjë e cila edhe pse rekomandohet në mënyrë të përsëritur nga Komisioni, mbetet e bllokuar prej dy vjetësh në Këshill nga Greqia për shkak të çështjes së emrit.

Ky ishte samiti i fundit i organizuar nga Presidenca Hungareze. Nga data 1 korrik, Polonia udhëheq BE-në për 6 muajt e ardhshëm, e në fund të mandatit të saj pritet të mbahet samiti më i rëndësishëm europian për Ballkanin.

Në samitin e dhjetorit pritet nënshkrimi i traktatit të anëtarësimit me Kroacinë, e po kështu vendet anëtare pritet të shprehen, bazuar në rekomandimin e Komisionit, për nisjen e bisedimeve të anëtarësimin me Maqedoninë, Malin e Zi e madje dhe Serbinë, e cila fiton kështu, automatikisht dhe statusin Kandidat në BE.

 Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA