Bakaj i shokuar: Mesi, thjesht i pandalshëm!

24/06/2011 11:00

Lionel Mesi është pa dyshim futbollisti më i mirë në botë i momentit dhe
i vetmi konkurrent i denjë i legjendave si Maradona e Pele, për t’u
bërë një ndër më të mirët në historinë e sportit më të dashur për të
gjithë. Për ta bërë një vlerësim të tillë, nuk është shumë e vështirë.

Mjafton të ndjekësh paraqitjet e tij me Barcelonën që nga dita e parë që ka debutuar e deri më sot. Për të përshkruar atë që ai arrin të bëjë në fushën e lojës nuk kanë të mbaruar epitetet, nga “i ardhur nga një planet tjetër” e deri te “stratosferik”.

Por më mirë se kushdo, e dinë ata që e kanë pasur përballë në fushën e lojës, të cilët nuk janë të shumtë në botë, pasi jo të gjithë e kanë atë shans.

Përjashto lojtarë të skuadrave spanjolle, të cilët kanë të garantuar të paktën dy ndeshje në sezon ndaj Barcelonës së yllit argjentinas, të gjithë të tjerët, nëse e kanë një mundësi të tillë, përveç ankthit dhe panikut që ai u shkakton kundërshtarëve, e konsiderojnë edhe si fat, që iu dha shansi të shohin nga shumë afër magjitë që ai prodhon me topin.

Këtë shans e kanë pasur edhe shumë futbollistë, të cilët zbritën të hënën në stadiumin “Monumental” me bluzën e Kombëtares kuqezi, në një miqësore historike kundër Argjentinës së mbushur me yje, por ku padyshim Lionel Mesi ishte qershia mbi tortë.

Një ndër ta ishte pikërisht Elis Bakaj. Mesfushori i Dinamos së Bukureshtit, i cili ka qenë për 66 minuta në të njëjtën fushë me Lionel, ka mbetur i shokuar nga Argjentina dhe mbi të gjitha nga talenti i jashtëzakonshëm i yllit të Barcelonës.

Bakaj, i cili ka ardhur në jetë vetëm 24 orë më vonë se sa Lionel Mesi, dhe të dy do të festojnë 24-vjetorin e ditëlindjet me vetëm një ditë diferencë nga njëri-tjetri (argjentinasi më 24 qershor, pra sot, ndërsa shqiptari më 25 qershor nesër), ka qenë në qendër të vëmendjes së shtypit rumun.

Mesfushori ka rrëfyer eksperiencën e tij të paharrueshme në gazetën sportive rumune “ProSport”. “Unë nuk kam parë një lojtar më të shpejtë se sa Mesi, thjesht ishte i papërmbajtshëm. Kjo ishte një gjë shumë e keqe për ne, pasi kur ai kishte topin në këmbë, ishte e pamundur që ta frenoje. Në thelb, ishte i pandalshme”, tha shqiptari menjëherë pasi iu bashkua Dinamos së Bukureshtit në fazën përgatitore.

Eksperienca e përjetuar nga ai në këtë sfidë historike për Shqipërinë do të ngelet e pashlyeshme në kujtesë, ndërsa është vetëm 24 vjeç dhe ndoshta do ketë shanse të tjera për t’u përballur me njeriun që po shkruan historinë e futbollit. Gjithsesi, për momentin, duhet të jetë i përqendruar te faza përgatitore me klubin rumun. Dinamo e Bukureshtit, pas rendimentit pozitiv të afrimit të Bakajt, duket e joshur nga shqiptarët dhe në javët e fundit ka pasur në listën e afrimeve një tjetër kuqezi, Andi Lilën. Por dje është mësuar nga media rumune se, drejtuesit e klubit po hezitojnë për blerjen e tij. Presidenti Nikolae Badea nuk ka vendosur ende rreth mbrojtësit 25-vjeçar shqiptar. Interesant është fakti se futbollisti do të mund të shkojë te kjo skuadër si një lojtar i lirë, por duket se kërkesat e tij financiare i tejkalojnë mundësitë që ka Dinamo e Bukureshtit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA