Top Show, ngërci politik vazhdon

23/06/2011 00:00

Situata politike në vend pas zgjedhjeve për pushtetin vendor të 8 majit dhe ngërci politik ishte tematika e diskutuar nga analistët e ftuar në Top Show mbrëmjen e sotme.

Analisti Artan Hoxha tha se e ngërci politik ende vazhdon dhe duhet parë sesioni i ri politik për të zbuluar nëse situata do të ndryshojë. Sipas tij, e vetmja gjë e sigurtë për të cilën bien të gjithë dakort është se ngërci politik ka bllokuar integrimin.

“Ngerci politik ka bllokuar format e integrimit europian, këtu nuk ka dyshime. Opinioni publik ndahet vetëm tek faji, se kush e ka fajin për këtë ngërc. S’janë bërë 12 prioritetet e ndërkombëtarëve dhe nuk ka gjasa të bëhen se nuk ka pajtim politik. Të shtunën në asamble, Rama bëri dallimin mes protestave formale dhe kërkesave sociale. Unë mendoj se është një reflektim fillestar në fjalën e zotit Rama. Do të shohim nëse opozita do të përdorë protesta brenda normalitetit”, tha zoti Hoxha.

Ndërsa analisti tjetër i ftuar në panelin e Top Show, Skënder Minxhozi, tha se zgjedhjet e 8 majit nuk duheshin mbajtur.

“Zgjedhjet nuk duheshin mbajtur, kam qenë me këtë mendim edhe para mbajtjes së zgjedhjeve. Procesi zgjedhor ishte shumë mirë në vetvete, rregullat janë shumë të mira, por aktorët politikë i deformojnë ato. Ky proces nisi mirë, vazhdoi mirë, por po mbyllet keq. Standartet e zgjedhjeve janë cënuar”, deklaroi zoti Minxhozi.

Por për kryeredaktorin e gazetës Panorama, Robert Rakipllari, zgjedhjet e 8 majit nuk zgjidhën ngërcin politik, por arritën të normalizojnë situatën politike në vend, krahasuar me atë para mbajtes së procesit. Sipas tij, i gjithë ngërci shkaktohet për shkak të kodit elektoral që krijon një opozitë mjaft të fortë.

“Askush nuk priste që zgjedhjet lokale të zgjidhnin ngërcin politik. Arritëm të normalizojmë situatën para zgjedhjeve, si ngjarjet e 21 janarit etj. Opozita u fut në zgjedhje për t’i trajtuar ato si referendum për zgjedhje të parakohëshme. Ky bllokim për mendimin tim vjen për shkak të kodit elektoral, që krijon një opozitë shumë të fortë”, tha Rakipllari.

Ndërsa analisti tjetër i ftuar në studio, Dritan Hila, tha se opozita është kushtëzuar në zgjedhjet e saj. Sipas tij, opozitës i është kërkuar të mos protestojë dhe është “detyruar” të marrë pjesë në zgjedhjet e 8 majit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA