PS: Padi në Kolegj

23/06/2011 19:40

Përfundimi i procesit të hapjes së kutive të 11 njësive bashkiake të Tiranës nga KQZ, me qëllim rinumërimin dhe rivlerësimin e votave të hedhura gabim, do të prodhojë një tabulim të ri të rezultatit për kyetarin e bashkisë së Tiranës.

Ky rezultat, që sipas zëdhënësit të KQZ-së pritet të dalë mesditën e së premtes, nuk është fundi i sagës elektorale në kryeqytet.

Partia Socialiste është në procesin e analizimit të të gjitha fakteve të reja që dolën në dritë nga numërimi i KQZ-së, prej të cilit Lulzim Basha doli fitues me 95 vota më shumë se kandidati Edi Rama.

Deputeti Fatmir Xhafaj, sekretar për cështjet ligjore dhe koordinimin, flet për hapat e mëtejshëm ligjorë duke paralajmëruar një ankimim të ri në Kolegjin Zgjedhor, pasi tani sipas tij duken qartas dhe janë të vërtetuara parregullsitë që prodhuan 117 kutitë e numëruara nga KQZ.

“Trendi i votave të hedhura jo në kutinë përkatëse dhe që po vlerësohen sipas Kolegjit nuk përputhet. 117 kuti kanë rezultuar me pabarazi. Të gjitha këto e bëjnë këtë proces jo të parregullt, por në vlerësimin tonë të deformuar dhe të manipuluar, që ka prodhuar një rezultat që s’i përgjigjet votës së qytetarit”, deklaron Xhafaj.

Juristi socialist sqaron edhe mënyrat se si janë bërë manipulimet. “Kishin mbetur disa njësi ku s’kishte mbaruar procesi i numërimit dhe aty u hodhën ca vota të Lulit. Them kështu sepse ato ishin vota të prodhuara nga fabrika e Saliut dhe prandaj u gjetën në 107 kuti. Ato ishin votat e Lulit dhe jo të qytetarëve. Një nga elementët e manipulimit është futja e votave të Lulit nga njerëzit e Saliut në procesin e numërimit në këshilla bashkiak dhe për kryetar bashkish”, nënvizon Xhafaj.

Deputeti Xhafaj ka komentuar edhe këndvështrimin e pozitës se cdo votë e hedhur në kuti nga qytetarët, qoftë edhe gabim, duhet numëruar.

“Nëse kjo mazhorancë do ishte e shqetësuar, nëse Basha do ishte i shqetësuar për zërin e qytetarëve, ai do t’i kishte kërkuar KQZ-së jo vetëm 117 kuti, por hapjen e të gjitha kutive, për respektimin e barazisë së votës”, shprehet Xhafaj.

Me daljen e tabelës së rëzultave nga KQZ, a është kërkesa për pavlefshëmëri të rezultatit që do të thotë ripërsëritje të zgjedhje në Tiranë, një prej opsioneve të PS përballë një mori parregullisht, zoti Xhafaj jep këtë përgjigje:

“Ne do vazhdojmë procedurën e ankimimit. Një gjë është e qartë, s’ka nevojë të përfundojë ky proces për të thënë se rezultati është i papranueshëm, pasi mbështetet në manipulime”.

Deputeti Xhafaj, edhe për arsye taktike të njohura kur është fjala për procese juridike të ngjashme me ankimimet, nuk pranon të tregojë detajet e ankimimit. Një gjë është e sigurtë, rezultati final për Tiranën do të vendoset nga Kolegji Zgjedhor.

Top Channel