
Me njësinë bashkiake nr 11, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbylli procesin e vlerësimit të fletëve të hedhura në kutinë e gabuar.
Gjatë numërimit socialistët denoncuan mungesën e zarfave me fletët e pavlefshme në 2 kuti, me 6 fletë në njërën dhe 34 fletë në tjetrën, kurse në një kuti u gjetën 2 fletë që i përkisnin një tjetër qendre votimi.
Demokratët argumentuan se mungesa e zarfave me fletët e pavlefshme nuk e cënonte integritetin e atyre 2 kutive ku zarfat mungonin, sepse fletët në ato kuti korrespondonin një më një.
Fizikisht, zarfi me fletët e pavlefshme mund të gjendej në një zarf tjetër dhe votat e pavlefshme nuk duhet të kenë qenë të hedhura gabim, sepse as 3 kutitë e tjera të së njëjtës qendër votimi nuk patën fletë të hedhura gabim.
Pavarësisht këtyre 3 momenteve, procesi për minibashkinë 11 eci shpejt. Rreth orës 14 gjithcka kishte mbaruar.
Në përfundim të këtij procesi u hapën në total 1793 kuti nga 368 qendra votimi, që prekeshin nga vendimi i Kolegjit Zgjedhor.
Në total në 1793 kuti u gjetën 498 vota të hedhura gabim, pra një mesatare prej 0.277 vota/QV. Me vendimin 709 të KQZ-së të datës 23 maj ku u hapën 117 kuti për 108 QV, u gjetën 265 vota të hedhura gabim. Ose një mesatare prej 2.264 vota për qendër votimi.
Demokratët argumentojnë se ky nivel i lartë i fletëvë të hedhura gabim shpjegohet me faktin se në atë kohë u shkua direkt në kutitë për të cilat kishte sinjalizim.
Kurse kësaj here u hapën pa përjashtim të gjitha kutitë që nuk ishin hapur dhe mes tyre kishte plot kuti ku kishte zero fletë të hedhura gabim.
Cështja është se sa kanë qenë këto kuti? Kjo pritet të shihet pas publikimit zyrtar të shifrave. Ndërkohë, diferenca që u prodhua mes kandidatëve Basha dhe Rama për 1793 kutitë e hapura së fundi ishte 14 vota para për kandidatin demokrat. Me këto 14 vota, diferenca e përgjithshme shkon në 95 vota para për Lulzim Bashën.
Përfaqësuesi ligjor i PS Genc Gjoncaj e cilësoi procesin të cënuar në integritetin e tij. Zoti Gjoncja tha se Partia Socialiste rezervonte të drejtën për të bërë apelim.
Kurse zëdhënësi i KQZ Leonard Olli e vlerësoi procesin transparent dhe të saktë. Pritet që KQZ t’i pasqyrojë edhe këto vota të hedhura gabim në tabelën përmbledhëse të rezultatit për bashkinë Tiranë.
Të enjten nuk dihej se kur do të mbahej mbledhja e radhës e KQZ-së, për të cilën kryetari Risatni tha se do ta njoftojë sapo të ketë përfunduar përpunimi i të dhënave nga administrata.
Top Channel