Jetimet hidhen në rrugë

23/06/2011 20:30

Prej katër ditesh, streha e vetme për Kujtimin, 16-vjecar, janë stolat që ndodhen në oborrin e konviktit të shkollës teknologjike.

Ai është një nga gjashtë të rinjtë që pas përfundimit të shkollës është përballur me rrugën.

“S’kam ku të shkoj, do rrij tek stolat. Për të ngrënë herë i kërkoj komshisë, herë rrij pa bukë”, tregon ai.

16-vjecari tregon se nuk e njeh familjen e tij. Ai ka qendruar pesë vjet tek qendra “David Brown”, më pas në shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli” dhe tani në rrugë, pasi ende nuk ka mundur të marrë as statusin e jetimit.

“Nuk e kam marrë statusin e jetimit. Komshinjtë kur kanë mundësi më ndihmojnë, herë të tjera jo sepse kanë fëmijët e vetë”, rrëfen Kujtimi.

Banorët e godinës, që kanë statusin e jetimit, tregojnë se prej një jave atyre u është ndërprerë energjia dhe uji i pijshem.

“Ne vazhdojmë të jemi pa drita, na thonë pse s’i paguani. Unë marr vetëm 30 mijë lekë dhe s’më dalin”, deklaron një banor.

Por, edhe pse në kushte shumë të veshtira, disa prej tyre janë përpjekur të ndihmojnë këta të rinj, mes tyre dhe një vajzë që është nënë e një fëmije dhjetëmuajsh.

“16 vjec është njëra me një fëmijë 10-muajsh dhe e kanë nxjerrë në rrugë. Shteti s’mendon fare për ne, mund të na ndodhë më e keqja”, shprehet një prej banoreve.

Ministria e Punës sqaron se është duke bërë verifikimet për të rinjtë që kanë këtë status, ndërsa drejtoria e konviktit nuk dha asnjë përgjigje konkrete për ta.

Top Channel