Doris Pack: Shqipëria larg BE-së

23/06/2011 20:15

Eurodeputetja e djathtë gjermane, Doris Pack ka deklaruar pa hezitime se Shqipëria po largohet nga Bashkimi Europian.

“Unë besoj se rreziku është i madh, sepse ajo çfarë pasqyron politika shqiptare në botën e jashtme do të ndikojë edhe në raportin e Komisionit të BE-së. Po ashtu duhet të mbajmë parasysh se refuzimi i opozitës për të bashkëpunuar për disa ligje në Shqipëri, për miratimin e të cilave janë të nevojshme edhe votat e tyre, mund të çojë në atë që nuk mund të plotësohen kushtet që duhen plotësuar. Ky është një problem, i cili mbetet në fushën e opozitës. Por prej kësaj, probleme do të ketë i gjithë vendi dhe opozita duhet ta mbajë parasysh që vetëm synimi për të rrëzuar qeverinë, gjë që është e kuptueshme kur je në opozitë, nuk mund të mbajë peng të gjithë vendin. Dhe unë mendoj se një gjë  e tillë është e dëmshme”, ka deklaruar Pack.

Duke iu referuar konfliktit për Tiranën, zonja Pack u shpreh se përkundër pretendimeve të palëve për vendimet e KQZ për votat në kutitë e gabuara, ai që do të vendosë do të jetë raporti i OSBE-ODIHR.

“Opozita pretendon se votat në Tiranë nuk janë numëruar si duhet, qeveria thotë që ky numërim ishte në rregull dhe prandaj duhet të presim deri sa të numërohen votat e fundit, pastaj duhet të kemi besim tek ODIHR-i nëse është dakord me këtë. Atëhere edhe opozita duhet ta pranojë përfundimin e votimit. Pra, në rast se ODIHR-i dhe OSBE-ja e pranojnë vendimin e Komisionit Zgjedhor, atëhere opozita nuk ka asnjë shkak se përse duhet ta vazhdojë ta bojkotojë Parlamentin dhe të refuzojë dialogun. Kjo është njëra gjë, por tjetra është në se ata vërtet do të veprojnë kështu. Unë vetë nuk besoj se do të kemi një dialog të vërtetë”, ka pohuar Pack.

Në fakt, në raportin e ndërmjetëm, ODIHR ka shprehur dyshime mbi bazën ligjore se si veproi Komisioni.

Top Channel