Berisha: E bëmë Tiranën blu

23/06/2011 23:05

I ndodhur në Bruksel në samitin e Partive Popullore Europiane, kryeministri Sali Berisha tha se i sqaroi bashkëbiseduesit e tij për rezultatin e Tiranës, i cili u bë me transparencë të plotë, ku cdo votë u tregua në kamera.

Tirana u bë blu dhe harta e të djathtës në Shqipëri u zgjerua tha zoti Berisha duke shtuar se fitoi shteti ligjor dhe se rezultati i ngushtë flet pikërisht se në vend ka demokraci, duke shtuar se nuk ndjehet i shqetësuar nga ankimimi i Partisë Socialiste.

“Pata rastin të informoj gjërësisht bashkëbiseduesit e mi me transparencën absolute të nxjerrjes së cdo vote në televizor. Diskutuam gjërësisht, i njoha me vendimet e Kolegjit Zgjedhor, me zbatimet me përpikmëri të këtyre vendimeve dhe provën e shkëlqyer në të cilën kaloi shtetit ligjor. Garat e ngushta për cdo demokraci janë para së gjithash, provë e shtetit ligjor. Mendoj se shteti ligjor në Shqipëri dëshmoi funksionalitet të plotë. Nuk mund të mohohet gëzimi që krijoi lajmi tek bashkëbiseduesit e mi që Tirana, u bë blu, pra u shtua në hartën e fitoreve të qendrës së djathtë në Europë. Opozita dhe cdo qytetar ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës. E rëndësishme është që duhet të shprehim besim ndaj gjykatës sepsë jo vetëm njëri vendim që na pëlqen e duartrokasim dhe vendimin tjetër që s’na pëlqen e anatemojmë”, tha Berisha pas takimeve në PPE.

Top Channel