Klosi: KQZ po manipulon

22/06/2011 17:50

Socialistët kanë publikuar prova të tjera që sipas tyre nxjerrin zbuluar manipulimet që po ndodhin me rezultatin e kreut të bashkisë së Tiranës në tryezën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Pavarësisht vendimit të Kolegjit drejtuar KQZ-së për rakordim të shifrave, sipas socialistëve kjo nuk po ndodh, ndërkohë që diferenca mes fletëve dhe votuesve vazhdon të jetë e madhe.

“Ne kemi në njësinë 1, ku nga 39 qendra, 20 kanë diferencë votash me minus 72. Në 6 qendra diferenca është me plus 30 vota dhe vetëm në 13 qendra votimi ka përputhshmëri, ndërkohë që Kolegji i kërkoi KQZ-së që të ribalanconte. Në njësinë numër 2 janë 54 qendra, 24 prej të cilave me diferencë negative, 10 me pozitive dhe 30 të balancuara”, ka deklaruar Klosi.

E kështu me radhë, sipas sekretarit organizativ të PS, edhe në njësitë e jera që po numërohen aktualisht në KQZ shfaqen të njëjtat probleme.

Ndërkohë, zoti Klosi, për të demonstruar sipas tij nivelin e manipulimit, ka marrë edhe shembuj konkretë në qendra votitmi.

“Njësia 2, qendra 1741/1, në të katër kutitë për kryetar bashkie, këshill bashkiak, minibashki dhe këshill minibashkie, dalin 17 vota më shumë sesa fletë votimi. Edhe në qendrën 1713, në katër kuti ka 5 fletë votimi më shumë sesa zgjedhës. Janë kutitë që Ristani i hapi dhe KQZ kërkoi ta balancojë. Ishin 8 vota më tepër për kryetar bashkie dhe pas hapjes së katër kutive ngelën 7 vota më shumë sesa zgjedhës. Si kanë dalë këto vota, kush i ka futur?”, ka nënvizuar Klosi.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Demokratike, e cila ka deklaruar se Rama vijon të përpëlitet nga humbja dhe publikon si gjithmonë akuza të paprovuara.

Zëdhënësja Jorida Tabaku ka deklaruar se humbja e Ramës është mëse e qartë dhe ka nënvizuar se vjedhje do të ishte mosnumërimi i votave.

“Edhe njëherë dëgjuam akuzën e vjetër, të ricikluar e absurde. Kur do ta mësojë zoti Rama se demokracia s’u përket partive, por u përket qytetarëve dhe se vjedhje është të mos numërohet vota? Të gjithë e kuptojnë se dëshpërimi i zotit Rama ka rënë në një nivel të ri. Zoti Rama ësht ënë panik. Ai mund të nxjerrë njerëz dhe të akuzojë, por asgjë nuk i bën të vërteta akuzat e tij absurde. Ai nuk sheh atë që po shohin në ekran të gjithë shqiptarët. Le t’u rrëfejë shqiptarëve përse nuk do që të lexohet cdo votë dhe të dëgjohet zëri i cdo qytetari”, ka pohuar Tabaku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA