
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vijoi edhe të martën shqyrtimin e fletëve të hedhura në kutitë e gabuara. Gjatë paradites u hapën 194 kuti të njësisë bashkiake Nr.6.
Në përfundim të vlerësimit të tyre kandidati Lulzim Basha kryeson me 74 vota para kandidatit Edi Rama.
Mirëpo krahas rivlerësimit të fletëve, vijuan të konstatohen të njëjtat probleme si edhe në ditët e shkuara me kodin e pestë të sigurisë, që mbyll dritaren ku hidhen votat.
Kodi i pestë nuk është i pasqyruar në proçes-verbalet e grupeve të numërimit.
Në një kuti është vërejtur një mospërputhje me njërin prej katër kodeve të sigurisë që mbyllin kapakun e kutisë, mospërputhje që shumica në KQZ ia ka atribuar një gabimi njerëzor.
Po ashtu në kutinë e një qendre votimi janë gjetur fletë të një tjetër qendre votimi.
Në një rast tjetër, një kuti në pjesën plastike që bashkohet me kapakun ka qenë e thyer dhe përfaqësuesit e Partisë Socialiste kanë thënë se që prej saj mund të nxirren zarfe me fletë votimi.
Kryetari Ristani i ka vënë në provë përfaqësuesit e Partisë Socialiste për ta nxjerrë zarfin.
Pas këtij momenti kryetari i KQZ vendosi që ky rast të hetohet, ndërkohë që përfaqësuesit e Partisë Socialiste thanë se në bazë të ligjit kjo kuti duhet shpallur e parregullt.
Pas hapjes së fletëve të kësaj kutie u gjet një votë për kandidatin Lulzim Basha dhe dy vota të Partisë demokratike për këshillin, që i përkisnin një tjetër qendre votimi.
Qendrat e ndryshme të votimit nuk kanë qenë në të njëjtën godinë.
Konkretisht, kutia me probleme i përkiste qendrës së votimit 1861/1, që gjendej në shkollën Shyqyri Peza, kurse dy fletët e tjera ishin të qendrës 1858, e vendosur në shkollën “Myslym Keta”.
Sipas hartës së Google, këto dy shkolla ndodhen rreth 220m larg njera tjetrës.
Për t’i përshkruar me veturë duhen rreth 50 sekonda, kurse në këmbë 3 minuta. Rreth orës 18:00, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve filloi hapjen e 195 kutive të 50 qendrave votimi të njësisë bashkiake Nr.7.
Top Channel