Buxhetorët, më tepër taksa se privati

21/06/2011 08:00

INSTAT thotë se në tërësi janë rreth 921 mijë të punësuar në rang vendi, ku gati 10 për qind punojnë në shtet.

Pavarësisht këtij raporti, të dhënat e certifikuara nga Ministria e Financave tregojnë se, punonjësit e shtetit paguajnë më tepër taksa për të ardhurat që krijojnë sesa të punësuarit në privat.

Për vitin 2010, në total administrata tatimore mundi të mblidhte rreth 27 miliardë e 100 milionë lekë, ku gati 31 për qind e këtyre arkëtimeve u siguruan nga të punësuarit në sektorin publik, 27 për qind nga të punësuarit në privat, dhe pjesa tjetër nga interesat bankare, dividendët, shitja e pronës etj.

Pavarësisht nivelit më të lartë të pagave në sektorin privat, me të paktën 2 herë më shumë se mesatarja e atij në shtet, dhe me numrin më të madh të të punësuarve, rezultati nuk përputhet me logjikën e shifrave.

Gjithnjë për vitin 2010, rreth 100 mijë punonjës të administratës publike, në nivel qendror dhe lokal, paguan 8 miliardë e 400 milionë lekë taksa nga të ardhurat, pra nga paga dhe shpërblimet, kurse gati 900 mijë të punësuar te privati paguan 7 miliardë e 400 milionë lekë, ose 1 miliard më tepër.

Këto rezultate nuk përputhen as me pagën e një punonjësi në shtet, që mesatarisht është 45 mijë lekë dhe as me numrin e tyre.

Ky lloj handikapi ka lidhje vetëm me informalitetin në sektorin privat, ku siç duket qartë, jo të gjithë i paguajnë taksat.

Nëse shteti e ka më kollaj të vjelë taksat për punonjësit e vet, duke ua mbajtur direkt në burim, te privati është më e vështirë verifikimi dhe administrimi i vlerave reale të të ardhurave që krijohen.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta