
Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar i ka shtrirë takimet në nivel politik.
Pas diskutimeve të kryera gjatë javës së kaluar me institucionet përgjegjëse monetare dhe financiare, shefi i misionit, Gerwin Bell, ka kryer takime edhe me deputetë të mazhorancës, anëtarë të Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe financat.
Takimi është zhvilluar për një orë me dyer të mbyllura dhe mësohet se nuk kanë qenë të pranishëm deputetë të opozitës, të cilët do takohen gjatë ditës së sotme.
Megjithatë, burime brenda takimit bëjnë të ditur se në fokus të diskutimeve ka qenë situata aktuale me borxhin publik i cili vijon të mbetet në nivele rreth 59 për qind në raport me prodhimin e brendshëm bruto, dhe ndryshimet e fundit buxhetore.
Deputetët e PD-së, anëtarë të komisionit, si Shrefedin Sehu dhe Edmond Spaho kanë bërë një ekspoze të situatës ekonomike në tërësi, duke përmendur reformat e qeverisë, por duke u ndaluar konkretisht te dy çështjet e rëndësishme: borxhi dhe buxheti i shtetit që pritet të rishikohet tani në fund të muajit.
Mësohet se shefi i misionit, Bell nuk ka bërë shumë komente, sesa ka mbajtur shënim rreth asaj çka është raportuar, pasi të gjitha qëndrimet do t’i japë këto ditë në një konferencë për shtyp.
Misioni i FMN-së do të takohet sot me anëtarët e opozitës në Komisionin e Ekonomisë, për të mësuar këndvështrimet e këtyre të fundit lidhur me rishikimin e buxhetit dhe nivelin e borxhit.
Ndërsa të mërkurën, Bell, së bashku me ministrin e Financave, Ridvan Bode, e Guvernatorin e Shqipërisë, Ardian Fullani, do të japin një konferencë të përbashkët. Në këtë konferencë misioni i FMN pritet të japë rekomandimet finale për vitin 2011.
Top Channel