Lajcak: Presim dialog nga Shqipëria

20/06/2011 18:10

Diplomati i lartë i BE-së, Miroslav Lajcak u ka bërë thirrje palëve politike në Shqipëri që të gjejnë rrugën e dialogut.

Duke folur në Uashington, në konferencën Perspektiva e Vendeve të Ballkanit në Universitetin John Hopkins, Lajcak ka nënvizuar se BE pret të shohë përpjekje nga klasa politike shqiptare.

“Ne ofrojmë ndihmën tonë, por duam të shohim përpjekje. Pa dialog do shohim tension si ai pas zgjedhjeve lokale. Nëse do të ketë dialog, ai do të vlerësohet nga BE”, ka deklaruar Lajcak.

Zyrtari evropian u ka sugjeruar palëve që në rast mosmarrëveshjesh t’u drejtohen institucioneve ndërkombëtare, sikurse bëjnë edhe vetë vendet e BE-së.

“Nëse liderët partiakë nuk bien dakord, ajo që bëjmë ne është të kërkojmë opinione nga institucione ndërkombëtare si ODIHR dhe Komisioni i Venecias”, ka pohuar Lajcak.

Ai ka theksuar se Shqipëria, ashtu si dhe vendet e tjera të rajonit duhet të angazhohen sa më parë për implementimin e reformave integruese.

“Shqipëria ka humbur shumë kohë dhe ky është momenti i duhur për të rekuperuar kohën e humbur. Edhe pse zgjerimi s’është në rend dite në BE, Brukseli do vijojë nxitjen e reformave dhe të shohë progresin e vendeve ballkanase drejt BE-së”, ka shtuar Lajcak.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA