
Deputeti i PS, Eduard Shalsi ka deklaruar se me hapjen e kutive të tjera në KQZ po vijon manipulimi i rezultatit të Tiranës, që sipas tij flet qartë për fitoren e Edi Ramës.
Në një deklaratë për mediat, Shalsi ka akuzuar kryeministrin Berisha se vazhdon të deformojë vullnetin e qytetarëve.
“Që prej 14 majit, qytetarët e gjithë Shqipërisë panë se fitues i bashkisë së Tiranës ishte Edi Rama, me 10 vota para. Por Berisha hapi një kapitull të ri e të turpshëm të zgjedhjeve në Shqipëri. Të gjithë panë tentativat e tij për të deformuar rezultatin për Tiranën, duke deformuar vullnetin e qytetarëve. Sali Berisha vazhdon të manipulojë në mënyrë të paturpshme procesin dhe kutitë ku gjenden fletët e votimit”, ka deklaruar Shalsi.
Sipas tij, KQZ po vepron nën urdhërat e kryeministrit dhe vendimet e saj nuk janë të bazuar në ligjet dhe procedurat e parashikuara nga Kodi Zgjedhor.
“Dje pamë një shfaqje të shëmtuar që po vijon edhe sot në KQZ. Urdhëra që nuk mbështeteshin aspak në procedura të bazuara në ligj. Gjithashtu, po dje pamë fletë jashtë zarfeve të mbyllura. Kjo është ajo që po ndodh në KQZ, që po i ngjan pazarit të gjësë së gjallë dhe jo një institucioni serioz dhe dinjitoz”, ka pohuar Shalsi.
Ai ka shtuar më tej se me këto veprime, kryeministri po e con vendin drejt një situate me pasoja shumë të rënda për qytetarët.
“Duke mos qenë i aftë të fitojë dhe të pranojë humbjen, Berisha po e con vendin në një rrugë të rrezikshme me kosto shumë të lartë”, ka shtuar Shalsi.
Top Channel