KQZ, kutitë hapin debate

19/06/2011 15:00

Të dielën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i kishte vënë vetes për qëllim të numëronte 191 kuti të zonës zgjedhore 46, që i përket njësisë bashkiake nr 2. (UPDATE)

Kandidati Lulzim Basha ka vijuar të ruajë diferencën me disa dhjetra vota para kandidatit Edi Rama.

Por përfaqësuesit e Partisë Socialiste kanë denoncuar tre tipe mospërputhjesh, të vërejtura gjatë hapjes së kutive: kodi i pestë i sigurisë së kutisë nuk gjendet e pasqyruar në procesverbalet e grupit të numërimit, gjatë kqyrjes së kutive janë gjetur fletëvotimi të një qendre votimi të caktuar në një tjetër qendër votimi dhe ka pasur disa fletë votimit të gjetura jashtë zarfave.

Këtë fenomen e denoncoi nga selia e Partisë Socialiste edhe deputeti Eduard Shalsi. Zoti Shalsi tha se kryeministri Berisha po vazhdon të manipulojë në mënyrë të trashë dhe të paturpshme procesin dhe kutitë ku gjenden fletët e votimit.

“Dje pamë një tjetër shfaqe të shëmtuar të KQZ, që vazhdon edhe sot. Pamë urdhra që nuk mbështeten aspak në procedurat e përcaktuara në ligj, kuti që hapeshin, me numra kodesh sigurie që nuk përputheshin me ato të shënuara në procesverbale, fletë votimi që gjendeshin jashtë zarfeve të mbyllura”, tha deputeti socialist, Eduard Shalsi.

Ndërkohë përpara fillimit të kësaj procedure, Komisioni qendror i zgjedhjeve kishte përfunduar shpërndarjen e mandateve për 344 njësi të qeverisjes vendore nga 384 gjithsej.

Çfarë është kodi i pestë i sigurisë?

Katër kodet e sigurisë së kutisë janë ata që fiksojnë kapakun e kutise, kodi i pestë është ai që mbyll carjen ku hidhen fletët gjatë momentit të votimit.

Gjatë votimit ditën e zgjedhjeve kutia në qendrën e votimit është e mbyllur me katër kode dhe e vetmja carje është ajo në mes të kapakut. Kur votimi përfundon, Komisioni i Qendrës së Votimit e mbyll këtë ndarje me një kod të pestë.
   
Kur KZAZ-ja merr në dorëzim kutitë nga qendrat e votimit, KZAZ-ja verifikon dokumentacionin, përfshirë edhe kodet e sigurisë. Nëse ka probleme, kutisë i vihet pulla e kuqe “kuti e parregullt”.

Gjatë numërimit, numëruesit për të derdhur fletët në tavolinë, heqin tërë kapakun e një kutie, duke i prerë 4 kodet anësore. Kur mbarojnë procesin e numërimit, i mbyllin prapë kutitë me kode të tjera, që i shënojnë në fund në procesverbal.

Por meqë numëruesit nuk e kanë prekur me dorë kodin e pestë, ata nuk e pasqyrojnë numrin e tij të serisë më procesverbal. Prandaj kur kutitë nga KZAZ mbërritën në KQZ, bëhet e pamundur të verifikohet numri serial i kodit të pestë me procesverbalet e grupeve të numërimit.

Socialistët dyshojnë se këto kode janë ndryshuar përpara se të vinin në KQZ. Pra kutitë janë hapur nga sipër dhe u janë shtuar pikërisht ato fletë që gjenden jashtë zarfeve, ku duhet të ishin sic i parashikon ligji.

Socialistët janë të bindur se procesi është njollosur keq. Por se në cfarë përmasash do të jetë ky fenomen, kjo mbetet për t’u patë në ditët në vijim. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA