Politika po tremb investitorët e huaj

18/06/2011 08:00

Në sytë e investitorëve të huaj, Shqipëria po kthehet në një vend të
pasigurt për të nisur apo për të vijuar aktivitetin. Gjithnjë e më tepër
raportohen lajme për ngërç politik, që ka pak gjasa të marrë zgjidhje
të shpejtë, ndërsa biznesi vëren se potenciali zhvillues po bie.

Patrik Paskal, kryetari i Shoqatës së Investitorëve të Huaj, thotë se vendi po vuan nga ngadalësimi i rritjes ekonomike, që prej fundit të vitit 2010, dhe ku deri më sot, konfirmohet me raste të shumta krizash, deri me falimentim ndërmarrjesh.

“Bizneset e sektorit të ushqimit dhe shërbimeve konstatojnë ulje të fitimeve, që si rrjedhim japin ndikim në planet e tyre të investimit”, thotë Paskal, ben te ditur Shqip.Kreu i shoqatës rendit disa nga sektorët e ekonomisë private që po preken gjithnjë e më shumë nga kriza politike në vend, duke veçuar ndërtimin apo industritë minerare dhe të naftës. Sipas tij, problemet në këtë vend nuk mund t’i zgjidhë vetëm biznesi, aq më tepër kur emigrantët nuk po kontribuojnë më si dikur.

“Nëse situata politike mbetet e paqartë, duke pasur incidente të tilla si ato që ndodhën në janar, është e qartë që investitorët e huaj preferojnë të shtyjnë afatin e ardhjes apo madje deri të mos angazhohen në Shqipëri”, tregon Patrik Paskal. Ai shton se për vite me radhë, biznesi i huaj e mbështeti Shqipërinë, ndërsa sot situata ka ndryshuar.

“Komuniteti i biznesit nuk dëshiron gjë tjetër veçse një klimë politike të qetë, në mënyrë që ndërmarrjet të mund të zhvillohen normalisht, duke favorizuar punësimin dhe eksportin, dhe duke i dhënë shtyrje zhvillimit afatgjatë të vendit”, thotë numri një i investitorëve të huaj. Për Paskal, problemet e shumta do të jenë më të vështira për t’u zgjidhur në të ardhmen, në rast se politika nuk i jep fund konfliktit.

Sakaq, Banka e Shqipërisë raporton për rënie të investimeve të huaja, duke iu referuar të dhënave nga tremujori i parë 2011. Sipas shifrave të publikuara së fundmi nga BSH-ja, investimet e huaja neto pësuan tkurrje deri me tre herë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Konkretisht, fluksi neto i kapitalit të huaj që hyri në ekonominë shqiptare në formën e investimeve, në tremujorin e parë ishte rreth 57 milionë euro, nga 154 milionë euro që ishte në tremujorin e vitit 2010.

Banka e Shqipërisë vëren se në tremujorin e parë ka ndodhur një fenomen i pazakontë me fluksin e kapitaleve të huaja, që nuk ishte vënë re ndonjëherë më parë në ekonomi, dhe që ka të bëjë me rikthimin mbrapsht të fondeve të destinuara për investime.“Në periudhën janar-mars, në Shqipëri hynë 173 milionë euro si investime të huaja, por më shumë se 115 milionë euro u transferuan sërish jashtë”, vë në dukje Banka e Shqipërisë.
Të dhënat tregojnë se paratë e investitorëve kanë dalë jashtë vendit pikërisht në muajin shkurt, pas ngjarjeve të 21 janarit. Kompanitë e huaja që bëjnë biznes në Shqipëri transferuan te kompanitë e origjinës, rreth 94 milionë euro.

Mësohet se një pjesë e mirë e këtyre fondeve që dolën jashtë vendit nuk ishin vetëm fitimet e bizneseve të huaja, por portofola investimi, të planifikuara për t’u kryer në të ardhmen, që në fakt nuk u realizuan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA