
Deputeti socialist, Sajmir Tahiri thotë se në zgjedhjet e 8 Majit ka patur persona që e kanë hedhur votën e tyre në kutinë e gabuar qëllimisht për ta bërë atë të pavlefshme.
Duke folur në Top Story në Top Channel, zoti Tahiri tha se këto fletë janë hedhur kryesisht nga punonjës të administratës shtetërore të cilët kanë qenë të detyruar ta fotografojnë votën e tyre dhe kanë parë si zgjidhje të bëjnë këtë votë të pavlefshme duke e hedhur në kutinë e gabuar.
“Për ta bërë të pavlefshme, qytetarët e kanë hedhur votën e tyre në kutinë e gabuar sepse detyroheshin të fotografonin votën e tyre. Kryeministri ndryshoi rregullat e lojës pasi humbi kandidati i tij. Shpiku një rregull për të hapur kutitë, që nuk e pranoi në 2009-n”, tha deputeti Tahiri.
Ndërkohë, deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj u ndal tek vendimi i Kolegjit Zgjedhor që urdhëroi KQZ-në të hapë kutitë e mbetura dhe të vlerësojë fletët me të njëjtën praktikë që ndoqi me 117 kuti pas 14 majit.
“Kolegji i ka thënë KQZ-së së do të bësh hetimin jo për 117 kuti, por për 485 kuti që të quhet procesi i mbyllur”, tha deputeti Alibeaj.
Top Channel