Incidenti me flamurin, PE kërkon ndjesë

16/06/2011 13:30

Parlamenti Evropian kërkon ndjesë për incidentin e pakëndshëm që ndodhi
në seancën e radhës mes PE-së dhe delegacionit shqiptar, ku flamuri
shqiptar ishte ai që përdorte regjimi komunist me një yll mbi
shqiponjën.

François Brunagel, drejtor i Protokollit të Parlamentit Europian, i ka dërguar një letër, Ambasadores së Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Europian, Zonjës Mimoza Halimi, ku kërkohet ndjesë për vendosjen e Flamurit të gabuar të Shqipërisë gjatë takimit të djeshëm në Bruksel.

“Ne dëshirojmë të sigurojmë Shkëlqesinë Tuaj se nga ana jonë nuk ka patur asnjë lloj qëllimi për fyerje me dashje dhe se vendosja e flamurit të gabuar ishte një gabim për të cilin ne ndjejme keqardhje. Në të gjitha takimet dhe pritjet e tjera të mëparshme të këtij lloji është vendosur flamuri i duhur dhe ne ju garantojmë se ky gabim i madh nuk do të përsëritet më.” thuhet në letër.

Parlamenti shqiptar në vitin 1992 vendosi të heqë yllin komunist nga flamuri kombëtar, por pavarësisht se kanë kaluar 19 vjet nga ky vendim Brukseli për këtë nuk është koherent.

Pamjet e denoncuara edhe në emisionin “Fiks Fare”, në Top Channel, janë shpërndarë menjëherë në shumë faqe interneti.

Në takimin e tretë që u zhvillua mes europarlamentarëve dhe delegacionit shqiptar, në kuadër të MSA-së, prapa tavolinës kryesore ku qendruan pranë njëri-tjetrit, Eduart Kukan dhe Fatos Beja, ishte vendosur flamuri me simbolin komunist.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA