BE: Ndryshoni situatën

16/06/2011 19:45

Të hënën, ministrat e Jashtëm të BE-së diskutojnë në Luksemburg për Shqipërinë.

Këtë e paralajmëroi përfaqësuesi i Presidencës së Hungarisë, Janosh Martonyi gjatë një debati në Komitetin e Jashtëm të Parlamentit Europian.

“Do të dërgojmë një lloj tërheqje vërejtje, për të treguar në mënyrë miqësore se situata duhet të ndryshojë në Shqipëri”, tha Martonyi, ndërsa raportonte se çfarë pritej nga ky takim.

Shefi i diplomacisë hungareze foli dhe për proçesin e zgjerimit me Ballkanin.

Përveç Kroacisë, ai u shpreh optimist dhe për Serbinë, Malin e Zi e madje edhe për Maqedoninë e cila vijon të bllokohet nga Greqia për çështjen e emrit.

Ndërsa Shqipëria, Bosnje Hercegovina dhe Kosova u renditën nga ministri i Jashtëm hungarez si më problematike për të avancuar drejt anëtarësimit në BE.

Hungaria kryeson Bashkimin Europian deri në fund të këtij muaji. Pas 1 korrikut, Polonia merr presidencën e radhës të Unionit.

Top Channel