
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth i ka tërhequr vëmendjen drejtësisë shqiptare për dështimin në zhvillimin e procesit gjyqësor të Gërdecit.
Përmes një deklarate për shtyp, ambasadori ka nënvizuar se mungesa e avokatëve në proces po tregon dobësinë e shtetit të së drejtës.
“Jam i shqetësuar se ky proces nuk po zhvillohet në përputhje të plotë me parimet e gjykimit të drejtë, të mishëruara në Kushtetutë dhe në ligjet e tjera përkatëse të vendit. Ndërsa të pandehurit gëzojnë të drejtën themelore të mbrojtjes ligjore, mosparaqitja e përsëritur e avokatëve mbrojtës nëpër seanca përbën një abuzim të cdo sistemi drejtësie”, ka deklaruar Wollfarth.
Ai ka nënvizuar se kur kanë kaluar tre vjet nga tragjedia, ndër më të rëndat në periudhën post-komuniste të Shqipërisë, procesi është ende shumë larg finalizimit.
“Unë u bëj thirrje urgjentisht të gjitha autoriteteve përkatëse të drejtësisë që të ndërmarrin të gjitha përpjekjet e mundshme, brenda kuadrit ligjor, për të garantuar përmbylljen e shqyrtimit të drejtë dhe publik të kësaj çështjeje brenda një periudhe të arsyeshme kohore”, ka shtuar Wollfarth.
Apeli i ambasadorit të OSBE-së ka ardhur një ditë pasi seanca e radhës e cështjes zgjati vetëm 20 minuta dhe u shty për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës.
Top Channel