PE, deklaratë të njëanshme

15/06/2011 19:50

Për herë të parë, Parlamenti Europian publikon një deklaratë të njëanshme me përfundimet e takimit ndërparlamentar BE-Shqipëri.

Edhe pse me dyer të mbyllura, e majta dhe e djathta europiane nuk mundën të bindin socialistët e demokratët shqiptarë që të gjenin konsensus për të tretën herë radhazi.

Por deklarata e njëanshme e europianëve flet për një pozicion neutral në sherrin elektoral mes dy palëve.

“Takimi ishte shumë i mirë, u krye në një atmosferë të civilizuar, por nuk dëshmoi asgjë të re. Shqipëria, si vendin dhe popullin që vuan, udhëheqësit politikë duhet t’i vendosin në vend të parë dhe jo interesin e tyre”, ka komentuar eurodeputeti Eduard Kukan.

“Për herë të parë eurodeputetët miratuan një deklaratë të pastër si kristali, se palët në Shqipëri duhet ta zgjidhin situatën me dialog”, ka nënvizuar pas tij Viktor Bostinaru.

Ndërsa nga pala shqiptare kanë folur pas takimit ministrja e Integrimit Majlinda Bregu dhe deputetja socialiste, Valentina Leskaj.

“Takimi ishte me dyer të mbyllura, por nuk mund të mos përmend faktin se është një takim që përvec misionit rutinë, kishte një vëmendje më të madhe për zhvillimin e zgjedhjeve lokale. Kjo, për faktin se ato janë pjesë e herëpashershme e bisedimeve të mëparshme”, ka deklaruar Bregu.

Ndërsa Leskaj është shprehur: “Duhet të respektoj konfidencialitetin e takimit, por mesazhi më i rëndësishëm është mesazhi i zotit Fyle, si brenda sallës apo jashtë saj, që ka qenë më i fortë. Citoj një nga eurodeputetët që tha: “Ka qenë më e fortë se herët e tjera deklarata nga zoti Fyle”. Kjo tregon se komisioneri nuk ka qenë aq diplomat”.

Në deklaratën e njëanshme përfundimtare, europarlamentarët shprehin shqetësimin për vijimin e krizës politike prej qershorit 2009, gjë e cila ka dëmtuar shumë imazhin ndërkombëtar të vendit dhe perspektivën europiane të tij.

“Të dyja palët janë të paafta që të gjejnë nje kompromis për hir të vendit e qytetarëve të tyre”, thuhet në qëndrimin e njëanshëm, duke njohur dështimin e Parlamentit, Komisionit, Shërbimit të Jashtëm të Bashkimit Europian dhe të Këshillit të Evropës në misionin e tyre për të ndihmuar në arritjen e kompromisit mes tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA