“Maya” në pritje të suksesit

15/06/2011 19:30

Një histori frymëzuese, e mbushur me pasion, për ata që ndjekin endërrat. Një histori shqiptare që flet për njerëz të zakonshëm dhe të jashtëzakonshëm, të shkelur nga varfëria dhe tradita, mbi të gjitha tradhëtuar nga “interesi”.

“Maya” e regjisorit Pluton Vasit, me role dramatike dhe dinamike, këtë qershor ka fluturuar drejt Shangait, për të përfaqësuar për herë të parë, në historinë e kinematografisë shqiptare, Shqipërinë, në Festivalin e 14-të të Filmit Ndërkombëtar, ku 16 filma nga vende të ndryshme të botës konkurojnë për “Kupën e Artë” në vendin aziatik, që për pjesën tjetër të botës do të ishte si  një “Oskar i dytë”.

“Do të jenë të pranishëm mbi 300 personalitete nga e gjithë bota, ceremonia fillon me një ‘red carpet’”, theksoi Vjollca Dedei.

Shangai  është “stacioni i dytë” për filmin e Vasit, pas “Çmimit të Madh” të Swnsea Bay Film Festival në Uells të Britanisë së Madhe, “Maya” me 8 nominimet e tij, në këtë festival të rëndësishëm, duket se ia ka arritur qëllimit duke komunikuar “vlerat universale” pavarësisht përkatësisë së rrethit, krahinës apo vendit.

“Duket se qëllimi ynë është plotësuar”, tha Pluton Vasi.

Qyteti i Gromasit, ku profesioni, përdoret për dashurinë, varfëria përdhos karakteret, mentaliteti shitet si traditë dhe kjo e fundit, si interes, mund të gjendet kudo në Shqipëri. Në këtë kontekst simbolik “qytetthi” që zvarritet nga varfëria ekonomike tek ajo shpirtërore, nuk jeton rastësisht. Në këtë sfond rastësor, regjisori luan me ngjarjet për të komunikuar mesazhet e tij.

Producentja Vjollca Dedei, këtë ngjizje artistike, e shikon si shpërblim në vetvehte. Hyrja e filmit “Maya” në garën zyrtare, të Festivalit Ndërkombëtar të filmit në Shanghai, Festival i kategorise A, më i madhi në Azi, për të konsiderohet si një ngjarje e jashtëzakonshme.

“Për grupin që ka punuar është një ngjarje e jashtëzakonshme”, theksoi Vjollca Dedei.

Filmi që bazohet në një fabul të thjeshtë, e rrëfyer po aq thjeshtë nga pikëpamja filmike, garon për çmimet Golden Goblet, krahas 15 filmave të tjerë të përzgjedhur në mesin e 1520 filmave nga 102 shtete. “Maya” që sfidon mediokritetin, që jeton dashurinë e saj si “jetë të dytë” e që interpretohet nga Rovena Lule Kuka është nominuar për aktoren më të mirë protagoniste.

“Jam shumë e emocionuar, sepse të konkurosh në këtë Festival është shumë e rëndësishme”, deklaroi Rovena Lule Kuka.

Regjisori Vasi, që njihet si kërkues i simbolikës figurative, edhe këtë herë nuk i ka shpëtuar eksperimentimit. Epilogu dhe prologu i “Maya”-s janë identike, përpara çdo linje prezantohen personazhet. Me një teknikë filmike që provokon emocione, eksperiemente të tilla, mesa duket kanë bërë punën e tyre.

“Jam shumë i emocionuar, sepse filmi është art kolektiv dhe bëhet në grup dhe çdo prezantim i tillë na frymëzon për të nisur një punë tjetër”, deklaroi Pluton Vasi.

Stacioni i radhës për filmin “Maya” është Festivali i Salentos në Itali që pritet të mbahet në shtator, një Bermudë konkurimi, po aq sfiduese sa vetë historia për të cilën “Maya” flet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA