Nishani paralajmëron policët

14/06/2011 21:25

Duke diskutuar në lidhje me planin e masave të marra nga qeveria për sezonin turistik, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani për herë të parë ka paralajmëruar efektivat policorë se do të penalizohen të gjitha ata që nuk do të kenë mirësjellje me qytetarët e huaj dhe vendas.

Etika e policëve gjatë komunkimit me qytetarët ka zënë për herë të parë vendin më të rëndësishme të planit të masave të Ministrisë së Brendshme për Turizmin.

Shërbimi i kontrollit të brendshëm, sipas Nishanit, ka marrë të gjitha masat për të marrë në konsideratë çdo shqetësim sado të vogël, për komunikim të keq nga ana e policëve.

“Për institucioni  siç është SHKB që të jetë në kontakt të vazhdueshëm dhe të krijojë të gjithë infrastrukturën e nevojshme për qytetarët në mënyrë që çdo qytetar i cili ndeshte me një praktikë të papranueshme përsa i takon kodit të komunikimit, etikës së sjelljes nga ana e punonjësit të policisë, të denoncojë të gjitha rastet dhe natyrisht që Ministria e Brendshme dhe strukturat drejtuese të policisë së shtetit do të qendrojnë me ashpërsinë më të madhe ligjore ndaj policëve që injorojnë detyrimin ligjor”, theksoi Nishani.

Duke ju referuar mbytjes se turistes çeke, Nishani tha se duhen të merren masa të rrepta për sigurinë e jetës gjatë aktiviteve ujore. Hetimet për vdekjen e turistes, sipas tij, nxorrën në përfundim se sporti i kanotazhit kryhej jashtë çdo kushti teknik.

“Të gjitha analizat dhe hetimet e mëpasshme treguan që ky aktivitet kryhej jashtë të gjitha kushteve dhe parametrave që ligji parashikon, nga persona të paautorizuar, të patrajnuar dhe pa asnjë masë mbrojtjeje për jetën e personit që ushtronte këtë sport. Të gjitha aktivitete duhet të bëhen së pari duke respektuar masat e ruajtjes së jetës së qytetarit”, theksoi Nishani.

Në planin e masave u përmend edhe çështja e zhurmave dhe muzikës së lartë në plazh, që mbetet problem akut dhe i pazgjidhur nga agjencitë shqiptare, e megjithatë ministri i Brendshëm kërkoi zgjidhje nga autoritetet duke respektuar ligjin.

“Një nga sfidat dhe problematikat ka qenë pikërisht çështja e krijimit të shqetësimit përmes zhurmave të tejkaluara, të ekzagjeruara që krijojnë gjatë natës në shkelje të parametrave dhe standardeve”, theksoi Nishani.

Kohët e fundit Shqipëria është përfshirë në ngjarje të tensioneve të politikës së brendshme, por edhe me ngjarje të rënda kriminale, por ministri i Brendshëm ka rrëzuar çdo lloj mundësie që këto ngjarje të ndikojnë në turizëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA