
Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, në tre mujorin e parë
të vitit, dërgesat e emigrantëve ishin 157 milionë euro ose 8.2 për qind
më të ulëta se tremujori i vitit 2010.
Ulja e dërgesave nuk është më një fenomen i rastësishëm, pasi të dhënat konfirmojnë se kemi të bëjmë me një tendencë të qëndrueshme që vazhdon tashmë prej më shumë se 4 vitesh.
Kjo situatë lëshon alarmin se ekonomia shqiptare duhet të gjejë burime të tjera për të financuar deficitin e lartë tregtar, i cili e ka vendosur vendin në një pozicion të vështirë financiar në marrëdhëniet me jashtë.
Vetëm në tremujorin e parë, rezervat valutore u pakësuan sipas Bankës, me rreth 77 milionë euro për shkak se flukset hyrëse të valutës në ekonomi nuk mjaftuan për të financuar nevojat e vendit për importe apo shërbime të tjera, që Shqipëria bleu nga jashtë. Pozicioni i dobët financiar i ekonomisë është shndërruar në shqetësimin kryesor të bankës së Shqipërisë, e cila në më shumë se një rast e ka ngritur atë publikisht.
Nëse tkurrja e flukseve valutore që vijnë nga jashtë nuk do të kompensohet në kohë nga rritja e eksporteve apo investimeve të huaja, rreziqet për ekonominë shtohen, qoftë tek kursi i këmbimit, por edhe tek stabiliteti financiar i vendit.
Top Channel