Libi, 6 raketa godasin Misratën

13/06/2011 21:40

Gjashtë raketa kanë goditur gjatë mbrëmjes një rafineri nafte në afërsi të portit të qytetit Misratës, në lindje të Tripolit, aktualisht nën kontrollin e rebelëve.

Lajmin e ka bërë të ditur një dëshmitar nga vendi i ngjarjes, sipas të cilit raketat kanë shënjestruar gjeneratorët e energjisë elektrike të impiantit dhe jo serbatorët e naftës.

Ndërkohë, televizioni publik në Libi ka denoncuar se avionë të NATO-s po bombardojnë një seri objektivash në qytetin Al Xhufra, në qendër të vendit.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, nga Adis Abeba, u bëri presion liderëve të Bashkimit Afrikan që të tërheqin mbështetjen ndaj Muammar Gaddafi-t.

Por, nga ana e tij Gaddafi ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të lërë Libinë. “Nuk jam as kryeministër, as president, as mbret. Nuk kam asnjë post pushtetar në Libi dhe për këtë arsye nuk kam nga se cfarë të heq dorë”, ka deklaruar ai.

Top Channel