
Në Kosovë është e vështirë të gjesh një vend pune, por edhe kur e ke gjetur nuk do të thotë se e ke zgjidhur problemin e parave.
Të rinjtë kosovarë angazhohen në punë të përkohshme, por jo gjithmonë paguhen në kohë për punën që bëjnë.
Rasti më i fundit është ai i Shaban Asllanit, i cili së fundmi ishte angazhuar si regjistrues në procesin e regjistrimit të popullsisë.
Vajtja derë më derë për 20 ditë rresht për t’i regjistruar qytetarët, këtij të riu akoma nuk i është shpërblyer.
“Në regjistrim kam punuar si regjistrues. Ne jemi paguar me formularë, diku unë kam rreth 500 euro pagë, që ende s’e kam marrë. Afat të caktuar nuk na kanë premtuar, na kanë thënë, jo javën e ardhshme, jo javën e ardhshme, por punën e kemi kryer më 19 prill dhe janë bërë dy muaj që po presim paratë, si studentë normalë që na duhen”, tregon Asllani.
Përvojë të ngjajshme Shaban Asllani ka patur edhe gjatë punës në procesin zgjedhor në Kosovë. “Në QNR kam punuar si kryesues, i kemi marrë rrogat para një muaji, edhe pse na janë vonuar jashtëzakonisht shumë”, shprehet ai.
Në raste si ky, punëdhënësi shkel ligjin e punës, neni 55 i të cilit i jep punëtorit të drejtën e pagës në pajtim me marrëveshjen paraprake.
E ndërkohë raportet e Organiztës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë tregojnë se papunësia është shqetësimi kryesor për qytetarët.
“Janë arsye të ndryshme, fillimisht është aspekti historik. Ekonomia është shkatërruar, privatizimi nuk ka pasur sukses, kompanitë private janë kthyer në depo. Por edhe aspekti tjetër afatgjatë nëse mendojmë është edhe edukimi, që në shumicën e vendeve është ai mjet i cili i bën njerëzit që të fitojnë për jetën e tyre. Fatkeqësisht në Kosovë s’mund të themi që universiteti ose shkollat krijojnë dituri të mjaftueshme që personi të gjejë punë ose të jetë i vetëpunësuar”, deklaron Mutaher Taskuka, drejtues i ekipit për hulumtime dhe politika në PNUD, Kosovë.
Ulja e nivelit të papunësisë është prioritet i qeverisë së Kosovës, i paraparë në planin e zhvillimit ekonomik 2011-2014.
Gjatë muajit maj ndërkaq ka qenë e hapur bursa e punësimit, një projekt ky i qeverisë me Agjencinë Kosovare të Bizneseve, i cili si qëllim ka gjetjen e mundësisë dhe shkëmbimin e informacioneve të nevojshme të tregut të punës në mes punëdhënësit dhe punëmarrësit.
Top Channel