Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, tha se mosnjohja e Kosovës
nga Serbia do të thotë mospranim i lirisë së një populli tjetër. Në një
intervistë për radion “Blue Sky”,cituar nga Telegraf, Kadare tha se
Serbia ka detyrim ta njohë Kosovën.
Në librin e tij “Mbi Krimin në Ballkan”, Kadare shkruan se heshtja botërore për krimet e kryera nga Serbia ndaj popujve tjerë në Ballkan, e ka bërë Serbinë të përfitojë nga kjo heshtje.
“Ka rreth 20 vite që po përsëritet ky mesazh. Një pjesë e letrave që publikohen në këtë libër janë shkruar përpara 20 vitesh. Kam kritikuar heshtjen botërore, në kohën që Kosovën nuk e zinte në gojë askush, dhe më pas heshtjen shqiptare për krimet. Që të mos ketë keqkuptime, duhet të them se natyrisht që është folur dhe shkruar për krimet”, tha Kadare, duke shtuar se në librin e tij janë përmendur shembuj të tillë. “Por”, sipas tij, “ato janë ende të pakta, në krahasim me tmerret që kanë ndodhur”.
“Në qoftë se bota do të merrte vesh të vërtetën e plotë, Serbia nuk do të guxonte të fryhej sot si gjel, por do të rrinte kokulur. Dhe kjo, përveçse do të hidhte dritë mbi të vërtetën e Kosovës, do të ishte në të mirën e gjithë rajonit, duke përfshirë këtu edhe të mirën e vetë Serbisë”, ka theksuar Kadare.
Top Channel