Përleshje të dhunshme shpërthyen mes policisë dhe protestuesve në veri-lindje të Turqisë, përpara një tubimi politik ku do të fliste kryeministri Rexhep Tajip Erdogan.
Kundërshtarët e partisë në pushtet, AK, mbanin një pankartë të madhe ku shkruhej “Erdogan, largohu nga Hopa”.
Sipas raporteve në media, një 54-vjecar ka humbur jetën si pasojë e një ataku kardiak. Protestuesit kanë qëlluar forcat e rendit me gurë, ndërsa këto të fundit janë përgjigjur me gaz lotësjellës dhe pompa uji.
Disa persona mbetën të plagosur, si në radhët e demonstruesve, ashtu edhe të policisë. Në mesin e të lënduarve është edhe një nga truprojat e Erdogan, gjendja shëndetësore e të cilit paraqitet e rëndë.
Zemërimi i banorëve të zonës ka të bëjë me planet e qeverisë për të ndërtuar një sërë digash hidroelektrike në rajon.
Protestat kishin nisur që përpara se kreu i ekzekutivit të mbërrinte në qytetin bregdetar. Turma e irrituar nisi të qëllonte me gurë autobusin e kryeministrit dhe ka qenë ai momenti kur truproja e tij është goditur dhe është rrëzuar duke përplasur njëkohësisht kokën në tokë.
Televizionet turke transmetuan pamjet dramatike të protestës dhe ato të goditjes së truprojës. Në tubimin që mbajti më pas në portin e Trabzonit, Erdogan i fshikulloi protestuesit me fjalën “bandite”.
Sondazhet e opinionit parashikojnë një fitore të partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të 12 qershorit, e cila është në pushtet që prej fitores dërrmuese që arriti në vitin 2002.
Top Channel