Në konferencën e radhës për shtyp lojtarët e përfaqësueses sonë kanë treguar sërish besim te vetja për ndeshjen me Bosnje-Hercegovinën, por në të njëjtën kohë duke vlerësuar kundërshtarin i cili padyshim që është një ndër më të fortët e grupit tonë.
Megjithatë, për të arritur një rezultat pozitiv në këtë takim që për ne si objektiv është arritja e një barazimi, si Bulku ashtu edhe Bakaj, kanë përmendur një impenjim maksimal të lojtarëve ashtu si në ndeshjen e fundit në “Qemal Stafa” ku arritën të merrnin atë fitore përballë Bjellorusisë.
“Do ta vlerësojmë kundërshtarin për atë që është. Bosnja nuk duhet nënvlerësuar, por edhe nuk duhet mbivlerësuar. Do të bëjmë lojën tonë. Nëse do të japim maksimumin mund të fitojmë ndaj kujtdo”, theksoi Ervin Bulku.
“Nuk ka diferencë shumë të madhe mes dy ekipeve. Kemi shumë shembuj që ekipe të nivelit tonë kanë arritur të kualifikohen në kompeticione të mëdha kështu që edhe ne shpresojmë”, shtoi Elis Bakaj.
Ndeshja e 7 qershorit është shumë e rëndësishme për përfaqësuesen tone, e cila pas rezultateve të deritanishme ka filluar të shpresojë për t’u ngjitur akoma më shumë në pozicionet në grup pasi kualifikimi vazhdon të mbetet një ëndërr.
Top Channel