16 persona kanë përfunduar sot në pranga pas hetimeve mbi bastet në futbollin italian të Serisë B dhe të Ligës Pro.
Mes tyre ish-kapiteni i Lacios, futbollisti i njohur Beppe Signori, të cilin hetuesit e konsiderojnë si liderin e të gjithë këtij sistemi që synonte trukimin e ndeshjeve. Me sa dihet deri tani janë kushtëzuar rezultatet e shumë takimeve, madje mendohet se është arritur deri aty sa u është hedhur qetësues në pije lojtarëve të një skuadre për të ulur rendimentin e tyre në fushën e gjelbër.
Mes të arrestuarve ka futbollistë dhe drejtues klubesh dhe janë ende nën hetim 28 persona të tjerë, ndër ta edhe futbollisti Stefano Bettarini, i cili pasi ka lënë futbollin është komentator sportiv në televizionin italian.
Hetuesi që ka drejtuar këtë operacion të bujshëm bën të ditur se rrjeti ndihmohej edhe nga tre grupe, një prej të cilëve ai e quan grupi i shqiptarëve. Sipas të dhënave paraprake, organizata kriminale e përbërë nga shqiptarë kishte për detyrë dorëzimin materialisht të parave për të korruptuarit.
Bëhet fjalë për qindra-mijëra euro të cilat më pas hynin në sistemin e pastrimit të parave.
Top Channel