Ushqimet vetëm shtrenjtohen

31/05/2011 12:45

Çmimet e ushqimeve kryesore do të dyfishohen në 20 vitet e ardhshëm,
pavarësisht se udhëheqësit botërorë kanë marrë masa për të reformuar,
sistemin botëror të ushqimit.

OXFAM-i tha se deri në vitin 2030 kostoja mesatare e prodhimit do të rritet nga 120-180%.

Gjysma e kësaj rritjeje do të jetë pasojë e ndryshimeve klimaterike, parashikon OXFAM-i, në raportin: “Për një të ardhme më të mirë”.

Aty veçohen vendet e pasigurta sa i takon ushqimit, ku njerëzit luftojnë për të siguruar bukën e gojës.

Përmes tij, organizata i bën thirrje udhëheqësve botërorë të rregullojnë tregjet, duke ngritur një fond për klimën.

OXFAM u kërkon vendeve të bien dakord për rregullat e reja që do të drejtojnë tregjet e ushqimeve, duke garantuar kësisoj që të varfërit të mos shndërrohen në të uritur.

Sipas kësaj organizate, udhëheqësit botërorë duhet të shtojnë transparencën, të sigurojnë rezerva ushqimore të promovojnë bio-karburantet, si dhe të investojnë për fermerët e vegjël, veçanërisht për gratë.

Edhe Banka Botërore paralajmëroi se rritja e çmimit të ushqimeve po i çon njerëzit në ekstremet e varfërisë.

Në muajin prill, ky organizëm tha se çmimet e ushqimeve janë 36% mbi nivelet e një viti më parë, çka pasoi problemet në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Top Channel