Policia serbe ka bërë të ditur se bilanci përfundimtar i të arrestuarve pas protestave për arrestimin e Ratko Mlladic është 180 vetë.

Zyrtarët e sigurisë thonë se një pjesë e madhe e këtyre personave ngjasojnë me paradën e nderit për të drejtat e homoseksualëve dhe protestat e tjera, pasi me skenar kanë ardhur nga jashtë Beogradit për të thyer dhe për t’u zënë me policinë.

Ministri i Policisë Ivica Dacic, ka theksuar se janë lënduar mbi 30 persona dhe janë dëmtuar pesë makina policie. Sipas tij, shumica e të lënduarve janë policë. Ndërkaq, nga të arrestuarit 34 prej tyre janë minorenë.

Por, si nis rituali i djegies së Beogradit kur ndodh diçka e rëndësishme?

Në vitin 1999 filluan disa protesta nëpër qytet dhe protestuesit dogjën disa ambasada, përfshirë atë shqiptare.

Situata u qetësua deri më 5 tetor 2000, kur atëherë demokratët u përleshën me Sllobodan Milloshevic dhe e dërguan në Hagë.

Ndërkaq, pas kësaj, gjithnjë ultranacionalistët vazhduan me protesta. Në vitin 2004 u dogj xhamia e vetme në Beograd dhe ajo në Nish, veprim ky që vazhdoi për disa herë të tjera.

Beogradi nxori tym edhe për pavarësinë e Kosovës gati një javë rresht, kur videoja e vajzave që vidhnin atlete përshkoi botën.

Djegia vazhdoi me arrestimin e Radovan Karaxhic, paradën për të drejtat e homoseksualëve dhe pas ndeshjeve sportive të Xhenovas dhe përfundoi me arrestimin e Mlladic.

Miliona euro dëme llogariten deri tani, por grupet radikale janë zvogëluar për shkak të largimit të Tomisllav Nikolic.

Top Channel