Interi fiton Kupën e Italisë

30/05/2011 08:50

Interi është fituesi i Kupës së Italisë, pasi ka mundur në finalen e Olimpikos së Romës, Palermon me rezultatin 3-1.

Edhe pse duket e thjeshtë kjo fitore nga rezultati nuk kanë shkuar aq lehtë gjërat për zikaltërit në këtë finale të kampionatit italian që mbyllet pikërisht me këtë trofe. Në minutën e 26-të të takimit një kombinim perfekt i Shnajder me Eton sjell golin e parë për zikaltërit që e mbyllin në avantazh pjesën e parë edhe pse ky ishte ndër të paktat dalje të tyre në zonën kundërshtare.

Në pjesën e dytë është sërish Eto që dyfishon rezultatin në minutën e 76-të në të njëjtën skemë, asist i Shanjder e kamerunasi sërish nuk gabon përpara portierit të Palermos. Përpiqet shumë skuadra e Delio Rosit e cila shpërdoron raste por në disa momente gjen të përgatitur portierin Hulio Sezar.

Nga një goditje këndi e paqenë ka ardhur goli i nderit për Palermon me Munoz, i cili pak minuta më pas del me kartonin e kuq.

Ndërkohë për të vulosur fitoren mendon Milito i futur në pjesën e dytë, pas asistit të Pandev. Në këtë mënyrë Interi çon në shtatë numrin e Kupave të Italisë, trofeu që nuk i nxjerr duar bosh zikaltërit nga ky sezon edhe pse më parë kishin fituar Kupën e Botës për klube, Superkupën e Italisë dhe tashmë me këtë kupë bëjnë një tripletë sezonale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA