Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin nga Maqedonia të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike në përputhshmëri me të gjitha standardet.

Ambasadori amerikan në Shkup, Filip Riker deklaroi se zgjedhjet e përkohshme të 5 qershorit janë shumë të rëndësishme për ardhmërinë e Maqedonisë.

Ai ftoi qytetarët të dalin në votime dhe të shprehin pa frikë vullnetin e tyre. Diplomati amerikan, tha se bashkësia ndërkombëtare me vëmendje do të ndjek zgjedhjet.

“Këto zgjedhje janë të rëndësishme për ardhmërinë e Maqedonisë dhe vëzhgimi i tyre duhet të sigurojë se do të jenë të lira dhe demokratike në përputhje me standardet që ne i presim nga Maqedonia si shtet europian. Kjo është shumë e rëndësishme për ne. Këto zgjedhje janë për të mirën e qytetarëve të cilët kanë të drejtë të vendosin për të ardhmen e vendit. Inkurajoj të gjithë qytetarët të marrin pjesë në zgjedhje. Ftoj të gjithë qytetarët që të votojnë dhe të mbështeten në vizionin e tyre për ardhmërinë e vendit”, tha Filip Riker, amabsador i SHBA-ve në Shkup.

Komentet ambasadori Filip Riker i bëri pas një takimi që zhvilloi me përfaqësuesit e shoqatës qytetare “MOST”, që po vëzhgon proçesin zgjedhor me 3500 monitorues.

Riker ka thënë se standardet dhe proçedurat duhet të respektohen si në pjesën e zbatimit të proçesit zgjedhor, ashtu edhe në pjesën e vëzhgimit vendor të zgjedhjeve.

Top Channel