Fshehja në një fshat të vogël në veri të Serbisë e një prej personave më të kërkuar në botë, Ratko Mlladic, ka marrë fund pa ndonjë rezistencë kur ai u arrestua.

Ka qenë një gjueti e heshtur 16-vjecare për njeriun që shumë vetë e konsiderojnë përgjegjës për mizoritë më të egra në Evropë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Ministri serb Rasim Ljajic tha se 69-vjecari, i cili dukej i zbehtë për shkak të mbylljes në shtëpi, ishte i armatosur por nuk hapi probleme.

“Mlladic kishte dy pistoleta të mbushura, të cilat nuk i përdori. Ai bashkëpunoi me policët, foli qetë me ta dhe nuk bëri rezistencë”, ka deklaruar Ljajic.

Tre njësi speciale policore ishin vendosur në një shtëpi pranë vilës së Mlladic në fshatin Lazarevo, rreth 80 kilometra në veri të Beogradit.

Shtëpia me tulla të verdha, pronë e një të afërmi të gjeneralit, ka qenë nën mbikëqyrje për dy javët e fundit, derisa dje u vendos ndërhyrja.

Fshatarët e Lazarevos, kryesisht serbë nga Bosnja ose Kroacia, deklarojnë se nuk e kishin idenë që gjenerali mizor po jetonte mes tyre.

Agjencitë serbe të lajmeve raportonin se ai përdorte emrin Milorad Komodic, një lajm ky që u hodh poshtë nga ministri i Brendshëm serb, Ivica Dacic.

Top Channel