Autoritetet serbe do të ndërmarrin një hetim për të zbuluar nëse Ratko Mlladic ka pasur bashkëpunëtorë në radhët e shtetit gjatë arratisë së tij 16-vjecare.

Lajmin e ka bërë të ditur zëvendëskryeministri serb, Bozhidar Gjelic, i cili ka deklaruar për një agjenci franceze se hetimi do të jetë “shumë i thellë”.

Ndërkohë, në Scheveningen, burgu i gjykatës ndërkombëtare të Hagës, është bërë tashmë gati qelia për ish-komandantin e serbëve të Bosnjes.

Zëdhënësja e gjykatës, Nerma Jelacic ka deklaruar për agjencinë e lajmeve “ANSA” se gjenerali i akuzuar për genocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit do të jetë i burgosuri numër 37.

Burgu i Scheveningen ndodhet pranë detit, vetëm pak kilometra nga selia e Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës.

Top Channel