
Uashingtoni iu bashkua aleatëve europianë dhe grupeve për të drejtat e
njeriut duke përshëndetur arrestimin në Serbi të të kërkuar për krime
lufte Ratko Mlladiç.
Shpresat janë që arrestimi i tij të pasohet nga reforma në shërbimet serbë të sigurimit, ku mendohet se ka elementët që mund ta kenë ndihmuar ish gjeneralin të fshihet për kaq kohë.
Reagimi i Shteteve të Bashkuara përfshinte një deklaratë nga presidenti Barak Obama, ku lavdërohej qeveria e presidentit Boris Tadiç për ato që cilësoheshin si “përpjekje të vendosura” për të garantuar që Mlladiçi do të ballafaqohej me drejtësinë.
Obama e cilësoi këtë një ditë të rëndësishme për viktimat e Mlladiçit, për Serbinë, Bosnjen, Shtetet e Bashkuara dhe drejtësinë ndërkombëtare.
I njëjti reagim vjen edhe nga organizatat “Amnesty International” dhe “Human Rights Ëatch”.
Ndalimi i ish liderit ushtarak serbo-boshnjak tregon, sipas tyre, se askush nuk është mbi ligjin dhe se drejtësia vonon, por nuk harron.
Megjithatë drejtori i programit për drejtësi ndërkombëtare pranë “Human Rights Ëatch”, Riçard Diker, thotë se nuk ka diskutim që Mlladiçi kishte rrjet mbështetjeje në Serbi dhe kujtoi ish-kryeministrin Zoran Gjingjiç që u vra në vitin 2003, si rezultat i një fushate kundër figurave kriminale dhe përkrahësve të tyre.
Një hap i rëndësishëm, që pritej me kohë nga Serbia, kështu e cilëson prangosjen e Mlladiçit ligjvënësi amerikan Eliot Engel, anëtar i lartë i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Çështjet e Jashtme.
Por në një deklaratë me shkrim, zyra e ligjvënësit amerikan paralajmëron se Serbia duhet të zgjidhë mosmarrëveshjet me Kosovën përpara se të pretendojë afrimin me Bashkimin Evropian.
Derisa të zgjidhë ngërçin me Kosovën e pavarur, Serbia nuk do të jetë në gjendje të antarësohet në BE, thuhet në deklaratë.
Unë shpresoj që ajo një ditë të bëhet vend anëtar, por një gjë e tillë nuk duhet lejuar nëse Beogradi do të bllokonte anetarësimin e Kosovës në të ardhmen.
Top Channel