FIFA heton kreun e saj

27/05/2011 14:00

FIFA ka hapur një hetim në lidhje me sjelljen etike të presidentit të
saj Joseph Blatter, pas një denoncimi të sfidantit të tij në zgjedhje,
Mohamed Bin Hamman.

Lajmin e bëri të ditur organizmi që qeveris futbollin botëror përmes një njoftimi për mediat.

Bin Hammam do të dëgjohet të dielën nga Komiteti Etik, tre ditë përpara se të sfidojë Blatter në zgjedhjet për kreun e ri të FIFA-s, të planifikuar për t’u zhvilluar më 1 qershor. Mësohet se edhe Blatter do të dëgjohet nga komiteti ditën e diel.

Ditët e kaluara, në bazë të ankesës së prezantuar nga Chuck Blazer, anëtar ekzekutiv i FIFA-s, Komisioni Etik kishte hapur nje procedim ndaj Bin Hammam, dhe numrit një të CONCACAF  Jack Warner dhe dy funksionarëve të tjerë. Akuzat kishin të bënin me një takim të ndodhur më 10 maj, në të cilin ishin prezentë Bin Hammam dhe Warner që kishte si argument zgjedhjet për presidencën e FIFA-s në bazë të korrupsionit.

Kandidati Bin Hammam ka hedhur poshtë këto akuza duke theksuar se i gjithë ky skenar është orkestruar ndoshta nga Blatter per ta penguar në garën e tij për postin e rëndësishëm.

Top Channel