Ish-komandanti i serbëve të Bosnjes, Ratko Mlladic, i arrestuar sot në Serbi, ishte krimineli kryesor i luftës i kërkuar në Evropë, por figuronte vetëm i treti në listën botërore të personave më të kërkuar.

Lista në fjalë është hartuar nga revista “Foreign Policy”, në bazë të informacioneve të dhëna nga Gjykata Penale Ndërkombëtare. Klasifikimi i personave më të kërkuar është ky:

1) Omar Hassan Al Bashir. President i Sudanit verior. Kërkohet për masakrat e kryera në Darfur. Ndaj tij GJPN ka ngritur tre akuza për genocid, pesë për krime kundër njerëzimit dhe dy për vrasje. Konsiderohet përgjegjësi kryesor për spastrimin etnik ndaj popullsisë me ngjyrë në Darfur nga milicitë arabe Janjaëeed dhe nga trupat sudaneze. Mbi të nuk ka asnjë shpërblim.

2) Joseph Kony. Lideri i rebelëve ugandezë të Ushtrisë së Clirimit të Zotit, një milici me motivacione biblike dhe fetare. I inkriminuar nga gjyqtarët e GJPN në vitin 2005 për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Thuhet se në vitet e fundit ka lëvizur shpesh mes Sudanit të jugut dhe Kongos. Konsiderohet përgjegjës për një seri masakrash, të kryera kryesisht në vendlindjen e tij, Ugandë, për tortura dhe për rekrutimin e mijëra fëmijëve-ushtarë.

3) Ratko Mlladic. Komandant i ushtrisë serbo-boshnjake gjatë luftës civile të viteve 1992-1995 në Bosnje. I kërkuar (deri më sot) nga gjykata e Hagës për 15 akuza, mes të cilave genocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, në vecanti për masakrën e Srebrenicës dhe për pushtimin e përgjakshëm të Sarajevës. Shpërblimi mbi të ishte 6 milionë euro.

4) Felicien Kabuga. Miliarder dhe biznesmen i fuqishëm ruandez. Kërkohet nga GJPN që prej vitit 1998 për genocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të Konventës së Gjenevës. Konsiderohet si financuesi kryesor i genocidit të kryer nga qeveria ruandeze dhe nga milicitë e etnisë Hutu ndaj gjysmë milion ruandezësh të etnisë Tutsi dhe Hutuve të moderuar. Shpërblimi mbi të është 5 milionë dollarë.

5) Bosco Ntaganda. Shef i milicisë Kongresi Kombëtar për Mbrojtjen e Popullit në Kongo, i njohur ndryshe me nofkën “Shfarrosësi”. Në vitin 2008 GJPN lëshoi ndaj tij një urdhër-arrest për krime lufte, në vecanti për rekrutimin e fëmijëve-ushtarë. Ai është gjithashtu një nga protagonistët e luftës civile në Kongo nga viti 1999.

Top Channel