Vijojnë reagimet e ndërkombëtarëve pas arrestimit të gjeneralit serb Ratko Mlladic, pas 16 vitesh arrati.

“Arrestimi i Mlladic është një ditë historike për drejtësinë ndërkombëtare”, ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon.

Ndërsa komisioneri evropian për Zgjerimin, Shtefan Fyle është shprehur se, “Serbia dëshmoi se e ka kuptuar rëndësinë e pajtimit në rajon”.

Presidenti francez, Nicolas Sarkozy e ka cilësuar arrestimin si “një lajm të madh” dhe si një “veprim të guximshëm” të presidentit serb Boris Tadic.

“Arrestimi i Ratko Mlladic është një hap i rëndësishëm për të ardhmen e Bosnjes, Serbisë dhe gjithë rajonit”, është shprehur ndër të tjera anëtari i presidencës trepalëshe të BeH, Bakir Izetbegovic.

Kryeministri slloven, Borut Pahor, nga ana e tij ka vlerësuar se, “drejtësia është e ngadaltë, por e arritshme”.

 Ndërsa ministri i Jashtëm suedez Carl Bildt ka deklaruar se, “tani perspektiva evropiane e Serbisë është më e qartë se kurrë”.

Top Channel