Kryeprokurori i gjykatës së Hagës, Serge Brammertz ka përshëndetur arrestimin e ish-komandantit të serbëve të Bosnjes, Ratko Mlladic.

Brammertz ka vlerësuar se, në këtë mënyrë Serbia ka përmbushur detyrimet e saj përballë drejtësisë.

“Tani ne presim marrëveshjen për transferimin e Mlladic në Hagë, ku ai do të gjykohet. Falenderojmë autoritetet serbe për përmbushjen e detyrimeve të tyre ndaj gjykatës dhe drejtësisë”, ka deklaruar Brammertz.

Më herët, prokurori serb për krimet e luftës, Bruno Vekaric deklaroi se për të vendosur mbi ekstradimin e gjeneralit do të duhet të paktën një javë.

Sipas Vekaric, Mlladic do të merret fillimisht në pyetje nga një prokuror serb, i cili do t’i ngrejë akuzat dhe do vendosë nëse ka kushte për ekstradim.

Mlladic u arrestua paraditen e sotme në fshatin Lazarevo, rreth 80 kilometra në veri-lindje të Beogradit, pas 16 vjetësh arrati. Ai akuzohet nga gjykata e Hagës për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe genocid.

Top Channel