Presidenti i KE, Jose Manuel Barroso është shprehur shumë i kënaqur për arrestimin e gjeneralit serb Ratko Mlladic, i kërkuar për genocid dhe krime lufte.

Në një intervistë për BBC nga Dovilli i Francës, ku po mbahet samiti i 8 vendeve më të zhvilluara të botës, Barroso ka përshëndetur në vecanti presidentin Tadic.

“Ky është një lajm shumë i mirë. Fiks një javë më parë unë isha në Beograd, ku pata një bisedë të gjatë e të sinqertë me presidentin Tadic, i cili më premtoi se do të bënte gjithcka për kapjen e Mlladic”, ka deklaruar Barroso.

Sipas tij, Tadic e mbajti premtimin, ndërsa tani i takon Brukselit që të besojë tek përkushtimi i Serbisë për anëtarësimin në BE.

Vlerësime kanë ardhur edhe nga Holanda, një ndër vendet që ka ngritur pengesat më serioze për integrimin e Serbisë në BE, pikërisht për moskapjen e kriminelëve të luftës.

Kryeministri holandez Mark Rut ka deklaruar se, arrestimi i Mlladic ka qenë një kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE, por që nuk i mundëson asaj hyrjen automatike.

“Duhen parë të gjitha rrethanat për një anëtarësim. Ngjarja e sotme ishte një element i rëndësishëm, por që nuk nënkupton anëtarësimin. Gjërat nuk funksionojnë kështu”, ka pohuar Rut.

Top Channel