Tirana fiton kupën e Shqipërisë

23/05/2011 08:15

Tirana shpëton sezonin e dështuar duke fituar Kupën e Shqipërisë, trofe ky që i jep mundësinë bardhebluve të shkojnë në Europa League.

Vetëm pas 11 metërshave, Tirana ka arritur të triumfojë ndaj Dinamos dhe të çojë në 14 numrin e trofeve të fituara në këtë veprimtari, e dyta për nga rëndësia në futbollin shqiptar.

Koha e rregullt u mbyll me barazimin 1-1, dinamovitët kaluan të parat në avantazh me Bërkiç, ndërsa bardheblutë barazuan me Pejiç në pjesën e dytë.

Ky rezultat bëri që ndeshja të shkojë drejt shtesave, por as në këto 30 minuta rezultati mbeti i pandryshuar.

Nga pika e 11 metërshave më të saktë u treguan futbollistët e Tiranës të cilët shënuan 4 herë kundrejt 3 golave të Dinamos. Protagonisti i këtyre minutave ishte portieri i Tiranës, Iljon Lika i cili priti 3 gjuatje të kundërshtarëve.

Ndërkohë që Tirana i bashkohet Skënderbeut, Flamurtarit dhe Vllaznisë në përfaqësimin e Shqipërisë në arenën europiane, Dinamo, kampionia e sezonit të kaluar, po diskuton mbijetesën.

Shansi i vetëm i bluve për të qëndruar në Superligë është fitorja ndaj Besëlidhjes në ndeshjen “play out” e cila do të luhet me 26 maj në stadiumin “Niko Dovana”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA