Ndeshje miqësore me Argjentinën

18/05/2011 01:30

Trajneri i kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe ka shprehur pakënaqësinë e tij në lidhje me formën e lojtarëve që luajnë në kampionatin shqiptar të futbollit.

“Nuk jam shumë i kënaqur nga tendenca e zhvillimit të lojtarëve të rinj në kampionatin shqiptar. Pa dashur të kritikoj punën e trajnerëve në Shqipëri, nuk besoj se për momentin po rriten talente të mëdha në futbollin shqiptar që të bëjnë diferencën në arenën ndërkombëtare. Për ndeshjen me Bosnjën nuk do të ketë asnjë emër të ri, përvec atyre që kanë qenë edhe më parë në kombëtare”, tha Kuzhe.

Përsa i përket ndeshjes së 7 qershorit me Bosnjen, trajneri kroat ka pohuar se e ka të qartë për cfarë do të shkohet atje.

“Sigurisht që une po ndjek të gjithe futbollistët tanë dhe ata të Bosnjes. Unë e kam idenë për gjithcka në lidhje me këtë ndeshje. Do të shkojmë për një rezultat pozitiv, por për këtë duhet të luajmë, duhet të shënojmë, gjithmonë pa harruar mbrojtjen”, vijoi trajneri kroat.  

Tekniku kroat i ka dhënë fund dhe thashethemeve në mediat kroate që pas ndeshjes me Bosnjen, ai do të kalojë në krye të skuadrës së Dinamo Zagreb.

“Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për të gjithë ne, për objektivat tona dhe nuk besoj se kjo do të vendosë të ardhmen time. Gjithmonë kur ka probleme tek Dinamo e Zagrebit, emri im është i pari që lakohet. Presidenti i këtij klubi më ka kërkuar një takim, por unë ia kam bërë të qartë se nuk mund të flas për të ardhmen time për të paktën  1 vit”, u shpreh Kuzhe.

Në fund Kuzhe ka theksuar dhe rëndësinë e miqësores së luksit me 20 qershor, që kombëtarja shqiptare do të luajë në Buenos Aires kundër Argjentinës.

“Kam shprehur gjithmonë dëshirën që të bëj sa më shumë ndeshje me kombëtaren shqiptare. Kjo është dicka historike për të gjithë ne, për këtë skuadër, për popullin shqiptar. Nuk i kemi menduar vështirësitë që mund të na dalin rrugës, besoj se lojtaret janë shumë të kënaqur që mund të luajne kundër Argjentinës. Ne duam që të shkojmë të bëjmë një ndeshje të mirë dhe jo thjesht të ngelet në kujtesë që dikur kemi luajtur me Argjentinën”, thotë tekniku kroat.

Top Channel