Subashi: Mbledhja e KQZ-së të mbahet sot

17/05/2011 18:30

Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi i ka bërë thirrje kolegëve të saj, që të vijojnë gjatë pasdites së sotme mbledhjen e parashikuar për shqyrtimin e tabelës përmbledhëse të KZAZ-së Nr. 49, për kryeqytetin.

Ajo theksoi se shtyrja e mbledhjeve të KQZ-së në këtë moment kur priten rezultatet pas votimit, është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor.

“Mbledhja e parashikuar ishte pikërisht për miratimin, nxjerrjen e vendimit të rezultatit zgjedhor të njësisë zgjedhjore Nr 49, gjë që kjo e fundit nuk e bëri konform ligjit pasi disa komisionerë nuk pranuan firmosjen e dokumentacionit të rregullt. Për fat të keq kjo mbledhje e KQZ-së nuk u zhvilluar dhe një tjetër mbledhje e parashikuar në orën 14 u shty në mënyrë të parregullt dhe nuk do të zhvillohet më sot”, tha Subashi.

“Ne kemi detyrimin të merremi me çështje zgjedhore dhe jo të pezullojmë punën. I bëj thirrje kolegëve që këtë mbledhje ta mbajmë në orët e pasdites dhe të bëjmë vendimarrjen e duhur edhe për çështjet e tjera zgjedhore”, theksoi Subashi.

Ndërkohë menjëherë më vonë, zëdhënësi i KQZ-së sqaroi se është thirrur policia e shtetit për të vendosur rregullin në KQZ.

Policia e shtetit në këto momente ndodhet në ambjentet e KQZ-së në përpjekje për kthimin e normalitetit.

Në mbledhjen e KQZ-së do të lejohen vetëm anëtarët e KQZ-së, vëzhguesit dhe media.

Ndërkohë deputetët e PS-së kanë deklaruar se nuk do të largohen nga salla e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA